(2LONLINE) – Trendi i dorëheqjeve në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) , Dega në Gjilan, po vazhdon. Kësaj radhe është ish këshilltari komunal i përbërjes së kaluar, Refik Hasani që i ka thënë Portalit 2Lonine, se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të nëndegës së 23-të-Lagja Zabel.
Duke folur mbi arsyet e dorëheqjes së ofruar Kryesisë së Degës në Gjilan, Hasani përmend pakënaqësitë e mëdha mbi zhvillimet e fundit e veçmas që nga mbajtja e Kuvendit të fundit zgjedhor në Nëndegë dhe atë të Degës.
Ai përkujton se si Nëndegë, kanë qenë më e fuqishmja, më e organizuara, me aktivja në kuadër të Degës dhe më gjerë , me aktivitete nga më të ndryshmet dhe të vazhdueshme që nga fillimi, por se nuk u shpërblyen me investime në Lagje , apo sistemim të ndonjë aktivisti të seksioneve e anëtarë të Kryesisë së Nëndegës përkundrazi u lanë anash, u anashkalua u injorua Lagja dhe u harrua krejt.
Ai po ashtu tha se në dorëheqje e shtynë edhe fakti se asnjëherë nuk është bërë analizë reale në seleksionimin, përzgjedhjen dhe emërimin e kuadrove në nivel të degës dhe që asnjëherë nuk u përfaqësua Gjilani e Anamorava si duhet.
“Jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Nëndegës XXIII, edhe pse ishim bashkëthemelues që nga fillimi dhe isha kryetar i Nëndegës që tri mandate të plota. Po ashtu nga aspekti edhe moral e japim këtë dorëheqje. Ne, si Lagje, kontribuuam të heqim moçalin që si Dinosaur kërcënonte qytetin e Gjilanit , ku përmes shumë aktiviteteve u eliminua kundërmimi dhe mushkonjat . Tani qyteti i ynë nuk ka rrezik për ndonjë epidemi kurse si “shpërblim” morëm mbetjen e Lagjes pa kurrfarë investimi konkret dhe tani i përngjan një fshati tipik rural”, thotë Hasani për 2lonline.
Ai shtoi tutje se edhe më herët, e edhe si Këshilltar Komunal ka paraqitur dhjetëra e qindra kërkesa, ankesa, por edhe u mundua të ishte zëri i shumicës, por se si nëndegë të gjithë janë të prekur e mllefosur nga ky mos investim në Lagje. Andaj nga kjo qasje e gabuar dhe trajtimi jo i mirë ndaj kësaj lagjeje ku ndodhet edhe kjo nëndegë, e ka zanafillën dhe këtu duhet kërkuar edhe shkaqet për dorëheqjen e tij.
Hasani ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij në nëndegë të cilët e kanë mbështetur përgjatë më tepër se një dekade e nga të cilët ka kërkuar mirëkuptim për hapin që ka ndërmarrë. /2lonline/