Ne natën e katërt të “Talias së Flakës 2020”, u dha shfaqja “Trenat” nga Haqif Mulliqi dhe në regji të Zana Durakut. Luajtën Shpëtim Selmani dhe Rozi Kryeziu, asistent regjie ishte Armend Ballazhi, skenografia nga Mentor Berisha dhe muzicient Xhemajl Gllavica.
Nga: Avni Shkodra
Ngase audienca ishte e ulur në binë të skenës së teatrit, mundësohej një komunikim më intim me shikuesit, për t’a përjetuar prej së afërmi emocionin e dhënë nga aktorët dhe një muzikanti, mbi tragjedinë kosovare të izolimit, deportimit, fatit të një qifti të dalë nga binarët jetësor dhe tendencës së tyre për ta kapur trenin, i cili iku dhe mori me vete kosovarët e deportuar nga vendi gjatë luftës së Kosovës.
Çifti, kishte dështuar të ikte jashtë Kosovës me trenat të cilët bartnin shqiptarët e përzënë nga vendi i tyre, pasi që kishin dëgjuar se në ata trena i ndanin burrat nga gratë, pleqt dhe fëmijët, për t’i pushkatuar, prandaj edhe i vuajnë pasojat e izolimit, pasigurisë dhe meqë presin t’iu lindë edhe një foshje, të gjitha këto u reflektohen me një konflikt në mes vete, duke e fajësuar nëjri tjetrin për gjendjen në të cilën ndodhen dhe duke ia dhënë kështu edhe dramaticitetin kësaj shfaqje.
Kemi të bëjmë me një çift aktorësh, të cilët për ta kaluar kohën e zymt, luajnë edhe lojëra teatrale, duke e bërë kështu edhe shfaqjen më atraktive. Luajnë edhe batuta nga “Godoja”, duke e ndërlidhur tekstin me pritjen e shpresës në vendin tonë. Aktorët ndjehen në mes të dështimit apo shuarjes në njërën anë dhe të perspektivës e optimizmin në anën tjetër, prandaj edhe treni në këtë shfaqje na aludon në diçka përpjekëse dhe shpresuese në njërën anë dhe dështuese në tjetrën anë.
Ndriçimi dinamik, tymi teatral, një valigje me plot rroba, disa nga to të kthyera në litar për varje, një muzicient në fund të skenës, e bënin shfaqjen që ajo të shikohej me vëmendje, pa u ndjerë ndonjë moment monotonie në audiencë.
Në natën e fundit, mbyllja e festivalit do të bëhet me shfaqjen “a.y.l.a.n”, nga Teatri nikoqir e që gjithashtu do të zhvillohet edhe ceremoinia e ndarjes së çmimeve për shfaqjet dhe artistët pjesëmarrës në festivalin e dramës shqipe.