DYLON

“Trekëndëshi poetik…” ruan vazhdimësinë dhe vlerat e artit letrar (FOTO)

“Trekëndëshi poetik…” ruan vazhdimësinë dhe vlerat e artit letrar (FOTO)
Avatar photo Redaksia

Për të dhjetën herë radhazi, e duke e sfiduar një kohë pandemie, asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu” me seli në Gjilan, në Grykën e Karadakut, përkatësisht në ambientet e restorant DUNAV –it ( ku edhe pat filluar para nëntë vitesh ), organizoi Manifestimin rajonal të Poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, i cili kësaj here iu përkushtua figurës së shkrimtarit të shquar shqiptar, Mirko Gashit, në 25 vjetorin e shkuarjes në amshim.

Manifestimin e shpalli të hapur, drejtuesi i këtij asociacioni, shkrimtari Sabit Rrustemi, duke I ndërlidhur vonesat e këtij Manifestimi si dhe reduktimin e programit të sivjem të këtyre takimeve rajonale poetike, me rrethanat e pandemisë botërore të Covid -19, tha se si pasojë e këtij virusi, u çrregulluan edhe veprimtaritë kulturore, ngjashëm si shumë veprimtari të tjera e angazhime të llojllojshme të jetës publike e private tek ne.

“Me një këmbëngulje të pashoqe të Ars Clubit “Beqir Musliu”, po dhe një mbështetjeje nga Ministria për kulturë, Rini e Sport e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Komunës së Gjilanit, u arrit të ruhet vazhdimësia e këtij Manifestimi që u nis dhe mbahet në nderim të 12 Qershorit – Ditës së lirisë për Kosovën, po edhe ruajtja e vlerave të mirëfillta të artit letrar dhe dhe figurave të shquara të letërsisë sonë, si është rasti edhe me figurën e shkrimtarit tone të shquar, Mirko Gashi, të cilit edhe i përkushtohet Manifestim i sivjemë i “Trekëndëshit poetik …”.

EkoHigjiena

Më pas, para shkrimtarëve e artdashësve të ftuar, e bija e shkrimtarit Mirko Gashit, Zora Kurti, bashkë me piktorin e njohur Ahmet Ibrahimi, zbuluan surprizën e këtij shënimi , portretin e Mirko Gashit, të punuar po nga Ahmet Ibrahimi, autor edhe i disa portreteve tjera me figura të shquara të kombit.

Në tryezën letrare për shënimin e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim të Mirko Gashit, fjalën kryesore e paraqiti prof dr. Anton Nikë Berisha, i cili me argumente të shumta që i paraqiti para auditorit të mbledhur me këtë rast, konstatoi se Mirko Gashi, me poezinë e tij dhe me opusin e tij poetik, që e botoi për së gjalli apo dhe la diçka në dorëshkrim, dëshmoi se poezinë e kishte gjakim dhe detyrë të përditshme së cilës nuk iu nda deri në vdekje.

Sipas Anron Nikë Berishës, poezia e Mirko Gashit e lënë në dorëshkrim është një gjakim për njohjen dhe zbulimin e botës së poetit, e shqetësimeve dhe e dhembjes së tij, po dhe e botës së tjetrit, e mjedisit shoqëror dhe më gjerë, e pësimeve dhe e tragjikes që e përcollën në rrjedhën e gjallimit. Secili individ, pra dhe secili poet, brenda vetes, ka dhe cilësi e tipare të njeriut të tij, të kulturës e të botës që i përket; gjatë rritjes fizike e mendore ai përthithë dhe njëson në vete tipare e virtyte të prindërve, të anëtarëve të familjes, pastaj të pjesëtarëve të mjedisit ku jeton dhe arsimohet. Së këndejmi, poeti i vëren dukuritë dhe me “sytë” e të tjerëve; bota e tij poetike është edhe e krijuesve paraprakë ose e atyre të kohës së tij. Çdo gjë lidhen dikund, pra e ka një shkas të parë.

Edhe folësit tjerë si, Nexhat Rexha, Emin Azemi, Prend Buxhala, Sherafedin Kadriu, Afrim Demiri, Ibrahim Kadriu e Mehmetali Rexhepi, u përqendruan në shumë veçori krijuese të Mirko Gashit, duke sjellur dhe shembuj nga opusi I tij, shembuj që dëshmojnë se ky poet solli vlera të mirëfillta poetike që nga libri I tij I pare, “Në vorbullën e ujit” e deri te ky I fundit, I botuar pas vdekjes së tij, “Blegërimë reshë”.

Poezi nga opusi i veprës së posabotuar, “Blegërimë resh” të Mirko Gashit, lexuan Hetem Kosumi, Alketë Spahiu e Sabit Rrustemi, ndërsa, para pjesmarrësve të kësaj Tryeze, u paraqit edhe e bija e shkrimtarit Mirko Gashi, Zora Kurti, e cila solli shumë kujtime, emocione e storje nga jeta dhe bëmat e Mirko Gashit, të cilat nuk janë të pakta po edhe mbeten të paharrueshme.

Nga kjo Tryezë, rrodhi dhe propozimi për ngritjen e një përmendoreje këtij shkrimtari , në një hapësirë diku në qendrën e Gjilanit, sepse siç u tha, Mirko Gashi I përmbushë katërcipërisht kushtet për t’u nderuar përmes një monumenti artistik, i cili do t’i bënte nder pikësëpari Gjilanit dhe qytetarëve të saj.

Në Tryezën letrare të këtij Manifestimi, u paraqit edhe revista e sapobotuar me punimet e edicionit të dhjetë, me poezitë e pesëdhjetë poetëve, revistë e cila sadokudoe zbutë mungesën e vetë poetëve kësaj radhe që të ishin të pranishëm dhe pjesë e këtij Manifestimi, përfshirë aty edhe nga një poezi të Mirko Gashit e të Musa Ramadanit, të cilin gjithashtu vdekja e ndau prej nesh në javën e dytë të marsit të këtij viti. /2LONLINE.com/


Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.