/2L ONLINE/ – Të shtunën në Gjilan është mbajtur manifestimi rajonal i poezisë “Trekëndëshi poetik i paqes”, në organizim të Ars Klubit Beqir Musliu”. Ky edicion, i gjashti me radhë, i është kushtuar shkrimtarit Beqir Musliu, në 71-vjetorin e lindjes dhe 20-vjetorin e vdekjes. Fillimisht, janë vendosur lule te varri i shkrimtarit, në varrezat e qytetit në Gjilan. Sabit Rrustemi nga ArsClubi “BeqirMusliu” ka thënë se manifestimi I sivjetmë i kushtohet Beqir Musliut, i cili me krijimtarinë e tij aq të pasur e ka nderuar Gjilanin, Anamoravën dhe tërë Kosovën.
Pjesa tjetër e “Trekëndëshit….” është mbajtur në Grykën e Karadakut, atje ku bashkohen dhe ndahen shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës (Serbi). Në Grykën e Karadakut, janë tubuar poetë nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore e Shqipëria, për të nderuar shkrimtarin e madh Beqir Musliu.
“Trekëndëshi…” ka vazhduar me përurimin e librit studimor “Poetika e BeqirMusliut” të autorit Yrjet Berisha. Libri është botuar këto ditë nga Shtëpia Botuese “BeqirMusliu”. Profesor dr. Nehas Sopaj nga Universiteti i Shkupit ka folur për librin si dhe krijimtarinë letrare të Beqir Musliut, ndërsa poezi nga opusi letrar i Beqir Musliut kanë janë deklamuar aktori Ramadan Kurti dhe Xhezide Selimi.
Në pjesën e dytë të manifestimit, është vlerësuar krijimtaria poetike e shkrimtarit të shquar nga Saranda, Agim Matos. Për poezinë e tij kanë folur Albina Idriizi, shkrimtare, Zejnepe Alili Rexhepi nga Universiteti i Tetovës, Nexhat Rexha, kritik e poet, si dhe Timo Merkuri, poet e studiues letrar nga Saranda, në pamundësi për të qenë fizikisht në këtë manifestim, ka dërguar kumtesën e tij. Aktori i njohur nga Saranda, Vangjel Agora ka deklamuar poezi të Agim Matos.
Në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij manifestimi tashmë tradicional, si rëndom, është mbajtur ora poetike ” Koha e poezisë”, ku janë paraqitur poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Punimet prezantuara, organizatori, ArsClubi “Beqir Musliu” do t`i botojë në edicionin vijues të manifestimit.
Si dhe herëve tjera, “Trekëndëshi poetik i paqes”, manifesti ky rajonal i poezisë, ka zgjuar interesimin e poetëve por edhe të dashamirëve të artit. “Trekëndëshi…” është mbështetnga MKRS – Departamenti i Kulturës dhe Komuna e Gjilanit.. /2L ONLINE/