(2LONLINE) – Disa punë shumë janë përzier në jetën politike e shoqërore si ato kabllot e një rrjetit elektrik te ne, kur mund të rrezikohet edhe jetë njeriu. Vetëm nga një vetëkënaqësi e për nevojat e grupeve të interesit. Kaherë është bërë me dije si për shumë punë të tjera se, arsimi nuk qëndron mirë. E para, morali dhe gjendja e përgjithshme shoqërore pas një këndellje në liri dhe shfrytëzimi arbitrarisht e jo legal i të mirave shoqërore. Edhe pse, te ne është dashur të jetë krejt e kundërta, pra, shihet qartë se, ata (një pjesë) sikur nuk janë të interesuar ta mëkambin vendin sipas deklarimeve dhe recitimeve që të njëjtit i bëjnë më së shpështi për atdhedashuri. Tregtia është bërë në arsim, edhe në atë parauniversitar sikur në atë universitar. Dhe një pjesë e mirë ka bërë punën e vet kurdoherë, madje ka pas edhe të arritura, por ka pas edhe shumë shfaqje të papranueshme e abuzive.
Arsimi është fushë e gjerë dhe më e rëndësishmja
Sado që vullneti i dikujt është i madh, aftësia duket se i mungon që ta sjell në rrugë të mbarë arsimin. Duhet të meremetohet dhe të mirëmbahet për çdo ditë hekurudha, ndryshe kur del treni me aq vagoneta nga binarët, vështirë është të tërhiqet në vijat e veta. Pastaj, arsimi publik nuk mund të pronësohet nga individë e grupe të çfardo interesi. Është një kala madhështore me dimensione të mëdha. Ka karakter lartësues gjithnji për shoqërinë, por në të kundërtën edhe rrënues. Arsimi s’është lodër në dorën e cilitdo e të luaj me të kush si të dojë. Udhëheqja e tij duhet të ketë qëndrim e vigjilencë, forcë intelektuale e drejtësi, me mjete të domenit edukativo-arsimor dhe shkencor. Jam i bindur se të gjithë njerëzit në udhëheqje të institucioneve e dinë, por edhe qytetarët se, nga arsimi varen të gjitha mundësitë në një shoqëri. Pra të gjithë resoret varen prej kuadrove të arsimit. Nuk dua ta elaboroj këtë çështje më tepër.
Edhe ne jemi në këtë rreth gjeografik
Në Evropën Juglindore, gati kudo në këto shtete pas ndryshimeve politike dhe të sistemit monist, ka pas lajthitje në reforma arsimore, në sjellje papërgjegjsie, madje edhe me falsifikime jo të rralla. Edhe ne jemi në këtë gjeografi. Por, kur diçka ka qenë e mundshme si në vendet tjera, nga opinoni publik është signalizuar mjaft për shumë çështje jo aq të mira në këtë lëmi. Qeveria, përkatësisht, Ministria është dashur kaherë të kthej kokën e të dëgjoj edhe të tjerët, çka mendojnë për veprimtarinë arsimore. Ne nuk kemi nevojë të imitojmë të tjerët. Nuk duhet t’ua lejomë grupacioneve me injorancë e me dije të rrejshme që ta marrin në duar të veta arsimin. Për këtë duhet të komandoj dikush. Njerëzit e ditur e preferojnë edhe politikën e mirë edhe ligjin. Rrënimet në arsim vijnë nga të gjitha anët ballkanike, por edhe më larg, dhe kjo s’është krejt e sotme, por që moti. Një arsimim i kuadrove nëpër vende të ndryshme solli e sjell edhe në trojet tona një pështjellim. Përkundër asaj pozitive, u shfaqen edhe paqartësi se, cili/cila është kuadër i aftësuar e cili/cila është gënjeshtër. Vërtet, nganjëherë po na dalin fjalët nga gojët e atyre që i quajmë thashetheme. Shkon i riu i jonë në kurse disa javësh a muajsh në botën e jashtme dhe kthehet me një fletë, duke na u shfaqur si magjistrantë, doktorantë, etj. dhe ne i marrim pa ndonjë verifikim të mjaftueshëm si reale e serioze, sepse ka ardhur nga ai vend me traditë, etj. në këtë mënyrë, nuk mund të pritet më shumë prej këtyre kuadrove jokomplete, qofshin nga Kosova, apo vende të jashtme. Sigurisht që punën e arsimit këta tipa do ta nëpërkëmbin edhe me gjeneratat e ardhshme. Sepse, një pjesë e të rinjve, nuk janë të interesuar për dije, por vetëm për para, vetura, shtëpia e pasuri sa më shpejt që është e mundur, pa zgjedh mjete se si mund të vihet deri te kjo pasuri. E arsimi është punë delikate. Veprimi te kjo lëmi mbetet gjurmë e pashlyeshme për shumë kohë.
Grupet e interesit – nepotizmi i shtrirë kudo
Instrumentalizimi i UP dhe i shkollave parauniversitare nga politika është bërë për shumë çështje të interisit nga pushteti, kjo ka ndodhur moti kohë, ndoshta edhe në ato kohët që po i quajmë të “arta”, dhe mirë u tha në parlament se, ka pas edhe më herët gjysmak, e pështjellana deri në ditëtë e sotme. Megjithatë, veprimet e padëshirueshme dhe falsifikatore kanë qenë shumë të rastësishmë. Nuk kanë çue peshë aq shumë, as nuk ka dashur askush të merret me to, si çështje shumë e pamoralshmë në shoqëri. Ia kanë bërë me gisht të tjerët e madje e ka pa edhe vetë personi. Po, kur njeriu s’ka frikë s’ka as marre. Kur këto dy s’i ka vaj halli për te…! Kredibiliteti i individit është vlerë e institucionit. Kjo është pa edhe në arsimimin parauniversitar, kur zgjidhet drejtori i një shkolle që nuk ka pas fare sjellje dhe arritje në punë. Por, ka vepruar në mënyrë të një sirvili, i cili ka qenë i pamoralshëm, ka bërë edhe tregti me organizimee në emër të nxënësve, gjëja për nxënës, shpesh me shpërdorime. Nepotizmi është i shtrirë çdokund. Edhe në regjistrimin e nxënësve, edhe në pranimin, apo largimin e kuadrove. Konkursi ishte formalitet. Shikoni se si janë punësuar burrë e grua, babë e bijë/bir, etj. qoftë në UP, qoftë edhe nëpër arsimin parauniversitar. S’është çudi që mund të ketë edhe në mesin e atyre parlamentarëve diploma falso, apo gjysmake në studimet e veta. Qëllimi i atyre grupeve ishte dhe është që të zë sa më shumë vende pune, madje edhe mësimdhënës nëpër universitete edhe në institucione të kësaj Republikës tonë. Flet tash deputeti i jonë, (të gjithë) se është dhimbje e madhe, “kjo çështje sot është më prioritare” për ne, etj. Po ku ishe deri më sot? Asgjë nuk duhet t’i lehet stihisë. Por, një pjese të kësaj politikës (partitë) tonë iu ka shmang reagimit, sepse i ka konvenuar për çështje interesi, ndërsa pjesa tjetër, me vonesë nga rruga po e bën vlerësimin e mësimdhënësve të tyre, gjë që s’është e hieshme, por kur nuk veprohet nga institucionet, del i treti me dhunë.
Shpeshherë vlerat te ne mund të kontestohen
Se a ka kuadro me letra falso, duhet ta dinë më së miri bordet, senati, rektori, dekanët e prodekanët atje brenda këtij Universiteti. Por, edhe sa si punohet dhe në sa vende pune gjenden këto kuadro, ata brenda është dashur të qeverisin me këto punë dhe të ndërmarrin masa.Njeriu nuk mund të flas i lirë për diçka që ia merr mendja, sepse nëse nuk je në vijën politike, duan si në atë kohën e mëparshme, menjëherë të shpallin si dezertor, nihilist, personalitet injorant e kompleksiv, i prapambetur, ‘plangprishësh’ e deri edhe në shpallje tradhëtari. S’ka diskutime. S’ka fjalë kundërshtuese. S’ka vërejtje. Sepse, këtë shteti e ka vendos. Sepse, këtë e atë “ekspertët” e kanë inauguruar. Dhe normalisht, kur nuk kihen parasysh asnjë vërejtje e opinionit publik, punët mund të dëmtohen e të marrin kahje të kundërta edhe atëherë, kur dikush përpiqet për të mirë në ato institucione. Pra, me vullnetin e shumicës duhet gjithnjë të veprohet.Këtu ka vërshuar edhe sistemi privat i kuadrove tona. Ka më tepër shumësi se sa cilësi. E kemi përmend disa herë se, e kryen arsimimin e lartë njeriu, i cili s’është dashur ta kryej as të mesmin, mendoj nuk ka treguar arritjet as për nivelet e shkollave fillore. Në shkollën e mesme, më në fund, i falet nota e mjaftueshme, shkon në universitetin privat, dhe pas pak kohe kthehet i diplomuar e me nota të shkëlqyeshme. Nga shkolla e mesme në lëndën që i është korrigjuar nota në mjaftueshëm, nga universiti privat ka marrë notë jo më pak se nëntë (9) apo dhjetë (10). Këto i kanë bërë menagjerët dhe mësimdhënësit e këtyre universiteteve: ‘nuk ka përseritje!’ sepse nuk vijnë studentët, për regjistrim kërkojnë vende atje ku nuk përseritin. Atje, ku marrin nota të shkëlqyeshme pa mund. Në këtë mënyrë ka filluar edhe në UP, i vetmi që deri në vitet e ’90-ta ishte më reali objektivi. Regjistrimet me lidhje farefisnore, jashtë konkursit e pa kritere, si dhe regjistrimi me para solli edhe dobësim të këtij universiteti në pikëpamje të nivelit të dijes. Kur i shtojmë edhe ndonjërit notat e shitura, atëherë rrjeti zgjërohet zgjërohet për të keq. Sepse, ata që kanë vepruar për vete me falsifikate, tash (pavetëdijshëm) kthehen që të bëjnë tregti me të tjerët. Nuk do të ishte mirë që punët e Ministrisë t’i udhëheqin studentët. Unë veç për keqardhje po reagoj, se si nuk do të ishte mirë ta sjellim gjendjen deri në këtë stad, sa të bëhemi pasqyrë e botës. Sepse, jam shumë i sigurt që dikush e ka ditur për të gjitha ‘marifetet’ që janë duke u bërë në arsimin tonë.
Kush ka dorë në organizimin e studentëve?
Në qoftë se nuk kemi dashur që të reagojnë studentët, e të përzihen edhe elemente që, ndoshta kanë për qëllim shkatërrimin me iniciativa armiqësore, atëherë ka qenë e rrugës që, institucionet tona legale dhe legjitime t’i kryejnë punët dhe t’i ndalojnë abuzimet. Po themi po thuaj të gjithë e kanë ditur se gjendja nuk është e mirë, sidomos qe prej pas luftës e ndoshta prej viteve të ’90-ta, por të gjithë kanë heshtur deri më këtë rast. Tash po flasin se, ne e duam Universitetin e Prishtinës, se, është vatër e dijes, prej të cilës kemi dalë edhe ne?! Etj. etj. Nuk do të përjashtohet kurrfarë mundësie që të ketë dorë edhe nxitje dikush tjetër, që studentët të marrin barrën për thirrje të shkarkimit nga pozitat në Universitetin Publik të Prishtinës. Po, nuk ka shumë rëndësi ky veprim. Veç është një dhimbje e madhe dhe një keqardhje për strukturat tjera politike. Madje edhe për intelegjencën e Akademinë e këtij vendi. Kjo nga fakti se, studentët ishin në çdo kohë, si me 1968, me 1981, 1989/90, etj. në kohët më të vështira në përballje me pushtetin okupues shekullor. Dhe kjo për ne është një hije e zezë me përgjasime të atyre kohëve. Me ato skena që paraqesin filma kriminal nga regjimet diktatoriale.
Koment për fund
Edhe rektori i tashëm, edhe studentët janë samari që po e mbron kalin e Trojes. Dhe, thamë, nuk është prej sotit. Të gjithë rektorët kanë qenë politik. Dhe nuk do të ishte problem pse i ka dërguar politika, por me këtë ka pas ndikim të drejt për drejtë për interesa grupore, kështu si në QKUK e në shëndetësi, në përgjithësi. Është zhvilluar kaherë korrupsioni (në pranim kuadrosh, në regjistrim studentësh, në shtije notash). Kandidatët tregojnë pasi ta kryejnë punën e vet. Pse mund të bëhet pronë private e grupeve apo individëve Universiteti Publik, një institucion që është shumë i shenjtë, jo veç për dijen e shkencën që ka nis të lulëzoj në hapat tonë të ngadalshëm e shumë të vonë, po ky Universitet është i shenjtë ngase që nga themelimi i tij i pavarur ka qenë një kështjellë vërtet kombëtare. Edhe armiqtë e kanë pranuar se, duhet shkatërruar në Kosovë “Kështjellën e nacionalizmit shqiptar”, që të operohet pa vështirësi, etj. Dikush po mendon se, duhet të uzurpohet Universiteti Publik, Kompanitë më të mëdha të vendit me një fjalë t’i merrë të gjitha ato arterje që janë parësore dhe Kosova të bëhet, përafërsisht, pronë private e ndonjë pashait. Po, si duket nuk po mund të ujdisen në mes veti disa patrona bisnismeno-politik. Metodologjia e punës së tyre është shkurtpamëse. Ata mendojnë se, populli, intelegjenca dhe gjithë qytetarët tonë po flejnë. Duhet ta pranojnë, se, sjellja e UP në këtë gjendje është fatkeqësi e këtyre qytetarëve të këtij vendi. Plagët që i janë shkaktuar, ndoshta shkon kohë e gjatë për t’u shëruar./2LONLINE/
SHEFIK SHKODRA