DYLON

Tregojuni fëmijëve ku ishim, që të dinë ku duhet të shkojnë

Tregojuni fëmijëve ku ishim, që të dinë ku duhet të shkojnë
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Sot, përveç tjerash, kujtojmë rrugëtimin e gjatë të një treve shqiptare që për dekada e mbajti ndezur flakën e lirisë, edhe kur errësira dukej më e fortë se shpresa.

EkoHigjiena

Gjilani dhe Anamorava kanë qenë vatër e ilegales, vatër e patriotizmit dhe e rezistencës kombëtare.

Kjo tokë ka nxjerrë burra e gra që nuk u përkulën para padrejtësisë, që burgun e pranuan si çmim për idealin, që sakrifikuan jetën, familjen dhe rininë për një Kosovë të lirë. Emrat e tyre janë të gdhendur përgjithmonë në historinë tonë kombëtare dhe gjurmët që lanë nuk do t’i fshijë koha.

Me respektin më të thellë përulemi para të gjithë atyre që ranë për lirinë e atdheut. Para dëshmorëve, martirëve dhe heronjve që e paguan me jetë të drejtën tonë për të jetuar të lirë. Lavdia e tyre matet me lirinë që vazhdon të jetojë falë sakrificës së tyre.

Nderim të veçantë për vajzat e djemtë e UÇK-së, luftëtarët e lirisë që patën guximin të përballen me një regjim të egër kur shumëkush mendonte se liria ishte e pamundur. Ata që sot janë në mesin tonë janë dëshmia e gjallë e një epoke krenarie kombëtare.

Jemi me fat që jetojmë në kohën e tyre, që mund t’i dëgjojmë rrëfimet e tyre dhe t’u shtrëngojmë dorën njerëzve që e kthyen ëndrrën e lirisë në realitet.

Mirënjohja jonë është e përhershme edhe për ShBA-të dhe NATO-n, aleatët që u gjendën pranë popullit tonë kur ishim të shtypur, të përndjekur dhe pothuajse të vetëm. Kur liria e Kosovës ishte në rrezik, ata zgjodhën të qëndrojnë në anën e drejtësisë. Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë ato duar që u shtrinë atëherë kur kishim menduar se askush nuk po e sheh çfarë po ndodh me ne.

Por kjo ditë duhet të jetë edhe një thirrje për secilin prej nesh.

Flisni me fëmijët tuaj.

Tregojuni të vërtetën.

Tregojuni ku ishim, çfarë kemi përjetuar dhe sa e gjatë e sa e vështirë ishte rruga deri te liria.

Tregojuni për burgjet, për sakrificat, për luftën, për dhimbjen, por edhe për shpresën që nuk u shua kurrë.

Tregojuni se si dashuria për njëri-tjetrin, besimi te Zoti, bashkimi dhe përkushtimi ndaj lirisë na bënë të mbijetojmë moralisht, kombëtarisht dhe njerëzisht edhe në rrethanat më të rënda.

Një brez që nuk e njeh rrugën nga ka ardhur, rrezikon të humbasë rrugën se ku duhet të shkojë.

Vetëm duke ua treguar të vërtetën fëmijëve tanë për të kaluarën, ata do të kenë forcën, sigurinë dhe motivimin për të ndërtuar të ardhmen.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve!

Nderim i gjithmonshëm për UÇK-në!

Mirënjohje për Amerikën dhe NATO-n!

Urime Gjilan!  /2LONLINE/