Tregimi që zuri vendin e dytë në konkursin letrar “Flaka e Janarit”, 2020

Tregimi që zuri vendin e dytë në konkursin letrar “Flaka e Janarit”, 2020

Tregimi që zuri vendin e dytë në konkursin letrar “Flaka e Janarit”, 2020

Afrim DEMIRI

URNA E VJEDHUR

Çdo herë kam qenë kurreshtar t’i lexoj shpalljet publike. Në fëmijëri , njoftimet e vendosura gjithandej, në kënde të dukshme, nëpër drunjë apo faqe ballore të objekteve, më tërhiqnin si të ishin urdhëra të domosdoshëm. Ftesa që nuk mund të refuzoheshin dot. Këto shpallje më dilnin në pritje si kumte të befasishme. Edhe pse për mua shpesh përbënin lajme të pakuptueshme , ato përditshmërisë sime i jepnin një tis tjetër. Telalli i dikurshëm, tashmë ishte heshtur në shkronjat e zeza, që flisnin për ndonjë person të vdekur, për ndonjë qen të humbur, për ndonjë dhomë që ipej me qira. Më bënin përshtypje kërkesat nga më të çuditshme për shërbimet, si ato për fshierjen e oxhaqeve, pastrimin e puseve apo edhe ato për kryerjen e mësitnive dhe gjetjes së fatit të të pamartuarëve. Fillova të mësohem me shfaqjen e tyre, nga larg e vëreja nga shkëlqimi i fletave se është vendosur një njoftim i ri dhe doemos nuk mund ta kaloja pa e lexuar shkronjë për shkronjë. Një ndjenjë përvetësuese krijohej në mua. Më dukej se shpalljet filluan të bëhen për mua, unë isha vu në pritje të tyre padiktueshëm.
Shumë vite më vonë, kur leximi i shpalljeve më ishte bërë si leximi i një gazete të shpërndarë copa- copa, nëpër faqet e mureve të objekteve, përjetova diçka të pabesueshme. Në një mëngjes të hershëm , kur gjithçka dukej se ishte prekë nga një lagështi e lehtë, një njoftim ishte vendosur në shtyllën elektrike përballë sheshit, që shpesh ngjallte parafytyrimin e një obelisku të mbetur në gjysmë. Lagështia kishte theksuar të zezën e shkronjave dhe fare qartë lexohej nga gjysmëlargësia se ky njoftim ishte më i veçanti që kisha lexuar.
“U lutem, hajnave të më kthehet urna e babait tim”, e lexova fillimin, pa frymë, duke mos I besuar vetvetes. Kjo lutje mëngjesore më ngriu të tërin. Më shkoi ndërmend të mos ishte një sarkazëm, për të përqeshur kohën e vjedhjeve që po lulëzonte, paslufte dhe kështu t’iu tregohet hajnave se sa të ultë janë; “ju do të na kishit vjedhur edhe urnat e të dashurëve në shtëpi” . Pastaj, habitesha se si shkruesi u drejtohej hajnave me lutje, sikur t’iu drejtohej njerëzve që kanë mundur ta gjejnë urnën, dmth njerëzve të pafajshëm dhe jo atyre që kanë bërë rrëmujë banesën e tij dhe urnën e babait e kanë marrë si për një vazo të bukur stolie.
Nuk më shqitej fakti se nuk besoja se dikush në qytetin tim ka urnë të babait të tij. Nuk kisha dëgjuar asnjeherë më parë se ndonjë qytetarë ka bërë krematoriumin e ndonjë të vdekuri të familjes. Por ja tash njoftimi qëndronte i varur në shtyllë si akuza më e rëndë për një vjedhje.
Gjerat e vjedhura kanë fatin e përbashkët, shpesh nuk gjinden kurrë, pastaj,pothuaj të gjitha përfundojnë në tregun e plaçkave apo shiten pasdore nën cilindo çmim. Shprehjen “çka humbtë mos u gjetë kurrë”, nuk e kam kuptuar lehtë asnjëherë. Më është dukur se ka një kundërthënie morale përbrenda saj. Madje, kam besimin se po u ipte përparësi hajnave. Shumë më vonë më është shfaqë nënteksti i kësaj thënie, e cila në vehte kultivon paqen, përballë konfliktit të mundshëm me hajnin, në rast të gjetjes së mallit të vjedhur.
U ktheva në shtëpi si i gozhduar. Fillova të lexoj për urnat që nga antikiteti e këndej. Në të shpeshtën qofshin nga bronzi apo argjendi ato janë stolisur me motive nga më të ndryshmet dhe familjarët e kanë mbyllur hirin e familjarëve të tyre. Më bëhej sikur brenda urnës mbahej i shtypur shpirti i të vdekurit dhe mjaftonte ndonjë zemërim i të vdekurit dhe ai të dilte fare lehtë nga urna dhe të rikthehej në jetë. Disi më ngatërrohej përralla e Llampës së Aladinit dhe pastaj 1001 mundësi më silleshin vërdallë në kokë. Ajo që ishte e sigurtë , vdekja ulej gogluq në mua. Më silleshin nëpër kokë të gjitha ato që kisha lexuar për djegien e njerëzve, për hedhjen e hirit të tyre nëpër bjeshkë, lumenj. Më erdhi mire, kur mësova, që një ushtar i huaj, që ka luftuar për qytetin tim, kishte lënë amanet që kufoma e tij të digjej dhe hiri të derdhej maleve ku ka luftuar ai. U ndjeva i lehtësuar se së paku atij nuk mund t’i vidhej urna.
Sa herë dalë në tregun e plaçkave sytë më shkojnë tek vazot e vjetra, dyshoj që njëra prej tyre mund të jetë urna e vjedhur. A mund të jem unë blerësi i saj një ditë, dhe atëherë nuk kam kujt t’ia kthej sepse tash paralajmëruesi i urnës së vjedhur ka ndërruar jetë?!

Shifra:”urna”

KOMENTE