Tregimi që fitoi Çmimin e parë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit” 2019

Tregimi që fitoi Çmimin e parë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit” 2019

Tregimi që fitoi Çmimn e parë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit” 2019

Odise PLAKU

VIJA E GJAKUT

Më në fund ishin kthyer të gjithë në atë banesë të lënë në harresë prej vitesh. Emigrimi u kishte ecur, por përsëri era e mureve të asaj shtëpie ishte tunduese dhe i tërhiqte më shumë se çdo gjë në këtë botë. Kishin ardhur gjithë si fis e secili kishte hapur dyert e shtëpisë së tij, kishin bërë me shpejtësi meremetimet e nevojshme, se do të bëhej dasmë e madhe në fisin e tyre. Ishte e para pas shumë vjetësh dhe do të mblidheshin të gjithë së bashku si njëherë e një kohë. Edhe kulla dykatëshe ishte lyer jashtë e brenda, ishin meremetuar shkallët e drunjta, që nga lagështira kishin filluar të kuisnin ose kishin mbetur ashtu që nga ajo ditë e zezë kur lumi i njerëzve që hynin e dilnin për mort nuk kishte të ndaluar. Shumë njerëz kishte pasur atë ditë. Tani e zonja e shtëpisë uronte dhe shpresonte që në dasmën e të birit të kishtedyfishin a trefishin e njerëzve të atij morti. Gjithçka ishte zbukuruar. Edhe në kopsht pemët ishin harlisur për hesap të vet pas krasitjes për merak nga një i afërm i tyre, që kishte rregulluar edhe gardhet e pastruar shkurret.Në vend të tyre tashmë vendi ishte mbushur me lule dhe pemë zbukuruese pa fund. Sa kishte ndryshuar pamja e asaj kulle, sa ndryshe dukeshin të zotët e saj! Kishin 30 e kusur vjet që u qante zemra nga gjëma e madhe që u kishte rënë mbi krye ashtu befas.
Treqind metra larg kullës së dasmës ngrihej një tjetër kullë. Mes tyre kalonte një vijë uji. Nuk kishte qenë deri ditën që pas rrebeshit uji shpërtheu nga kodra dhe vuri kufi midis dy kullave. Askush nuk kishte të drejtë ta kalonte me aq lehtësi atë kufi, sepse mes kullave ngrihej hija e vdekjes,që priste rastin të merrte një jetë tjetër. Edhe vetë banorët e kullave çuditeshin që ajo vijë uji, që e kishte zanafillën nga shpati i një kodre, që ngrihej jo shumë larg tyre, herë pas here merrte ngjyrën e gjakut të mpiksur, vishnje në të zënë, që i shtynte të mendonin se e liga nuk do ndalte mes tyre. Dhe kështu pati ndodhur. E zeza pllakosi në jetën e tyre me një shpejtësi të llahtarshme, saqë i detyroi të largoheshin një e nga një. U shtinte lemerinë ajo vijë uji ngjyrë gjaku. Edhe pse ishin përpjekur t’ia ndryshonin rrjedhën, pas shiut uji shkonte përsëri në shtratin e mëparshëm e vazhdonte të përdridhej si gjarpër nëpër lëndina derisa përfundonte në përroin e fshatit, që e ngjyente edhe atë me ngjyrën e gjakut. Një ditë një nuse që lante teshat në gurët buzë përroit ishte trembur aq shumë nga ajo ngjyrë, sa nga nxitimi kishte rënë së prapthi mbi një gur e kish mbetur e vdekur në vend. Secili prej banorëve përpiqej ta largonte sa më shumë nga vetja atë dreq vije uji me atë ngjyrë që u kallte krupën. Kur binte shi, ajo fryhej e përhapej si një pëlhurë merimange nëpër gjithë sipërfaqen e tokës duke e njollosur me të kuqen e saj.
E zonja e shtëpisë hoqi dhe disa pika boje të bardhë që kishin rënë në parmakun e dritares. U mbështet në kornizëe sytë i shkuan te kulla përballë. Pa se ishte nxirë, ishte rrënuar në çati. Nëpër oborr dalloheshin grumbuj mbeturinash. Me sa dukej, e kishin përdorur për bagëtitë. Prej vitesh nuk banonte njeri atje. Pas sherrit mes të zotëve të kullave, që kishin mbetur të vdekur në vend të dy, ato ishin zbrazur si të kishte rënë flama dhe asnjë nuk qe bërë i gjallë. Edhe macet e qentë kishin marrë arratinë. Edhe shpezët ishin larguar e nuk ishin kthyer më. Aq e madhe kishte qenë gjëma në ato dy kulla, sa thoshin se edhe muret ishin çarë nga ulërimat. Nëpër mend i kaloi dita e gjëmës, kur oborret e kullave ishin mbushur me aq shumë njerëz. Ata shkonin e vinin nga njëra kullë tek tjera. Të zotët e tyre kishin qenë njerëz të nderuar, por gjaknxehtësia ua kishte errur sytë e marrë mendjen. Asnjëri nuk kishte lëshuar pe, derisa më në fund kishte folur arma. Të dy kishin rënë në krahë të njëri-tjetrit, me fytyrë nga njëri-tjetri, si të kërkonin falje për budallallëkun që kishin bërë. Por gjaku ishte gjak dhe duhej larë.
Ajo kërkoi me ngulm nëpër zgofullat e zeza që ishin hapur nga rrënimi i dritareve: gjithçka errësirë, asnjë shenjë jete. Mori frymë e lehtësuar. U kishin premtuar se ajo ngjarje ishte mbyllur. Tani secili do të shikonte jetën etij dhe nuk do t’u ktheheshin më atyre viteve. Ishin rritur fëmijët dhe kishte ardhur koha e gëzimit. Duheshin gëzuar dhe shijuar fëmijët, që të dyja palët i kishin rritur atje ku kishin shkuar, në kurbet. Rexhoja, djali i vetëm, kishte kërkuar që dasmën e tij ta bënte në vendlindje, në kullën e tij. Ajo kishte hezituar, po pasi vëllezërit i kishin kthyer përgjigje se asgjë e keqe nuk do të ndodhte më në jetën e saj, kishte pranuar. Rexhoja ishte djalë për kokë të djalit. I gjatë, flokun pis të zi, me një mjekër të zezë të prerë shkurt dhe gjoksintë bëshëm nga të ushtruarit në palestër. As cigare, as alkool nuk vinte në buzë, veç pak verë e lëngje frutash me shumicë. Sikur ta shtrydhje atë njeri, veç lëng frutash do t’i nxirrje nga poret e lëkurës.
Nuk po e kuptonte pse iu bë fiksim ajo zymtësi e kullës fqinje, ndaj zbriti shkallët dhe doli jashtë, kaloi oborrin e saj, çapiti nëpër gurët e vendosur si pllaka për kalimin e vijës së gjakut dhe eci drejt kullës së mekur. “Nënë, ku po shkon?” – dëgjoi nga pas zërin e së bijës. Dalloi frikën në zërin e saj, por nuk ndali. Eci. Donte ta shikonte me sytë e saj barkun e saj kulle. Nuk i zinte besë, edhe pse besën ia kishin premtuar. Derë nuk kishte, veç dy copa dërrasash, edhe ato të kalbura. Hezitoi pak çaste, po më në fund u shty përpara.Në hollin e madh ishte errësirë, boshësi. Ndjeu era myk, era vjetërsirë, era vdekje. Ashtu kishte ngrirë jeta në atë kullë, me vdekjen në çdo qoshe të saj. U fut në njërën dhomë. Një çast veshi i kapi një zhurmë si kërcitje dërrase. Ngriu.
– A ka njeri këtu? – pyeti.
Zëri u përplas nëpër mure. Ndjeu t’i kalonin mornica nëpër trup.
– A ka njeri këtu? – pëshpëriti.
U bë gati të kthehej mbrapsht, por ajo kërcitje e lehtë nuk e linte të qetë. I mori dhomat një nga një. Askush, asgjë. Në një qoshe të një dhome sytë i zunë një djep. Bosh. Një litar zvarritej në tokë. Ishte ende i bukur. Ndoshta nuk e kishte zënë as era e as lagështia, sepse dukej i sapobërë. Me një këndes të kuq në krye dhe rreth e rrotull me kurora ngjyrë ari. E mori djepin në duar. Sa u mat të dilte, dëgjoi një “krrap-krrup” aq të lehtë, sa vetëm një vesh i stërvitur do ta dallonte. Dhe veshët e saj të tillë ishin, sepse kishte vite që ishte shndërruar në rojë vigjilente për jetën e fëmijëve të saj.
E lëshoi djepin dhe u hakërrua:
– A ka njeri këtu?!
Heshtje. Po në mendje tashmë iu ngulit se dikush ishte brenda mureve të asaj shtëpie. “Mos vallë zgjova vdekjen?!” – i kaloi nëpër mend pyetja, që e bëri t’i lëvizte zemra vendit. Nxitoi të kontrollonte dhe një herë dhomë për dhomë e cep më cep.Bëri të largohej me shpejtësi, por u pengua në litarin e gjatë të djepit mbetur në tokë. Pa ia hedhur sytë përsëri, largoi litarin nga këmbët e përshkoi me shpejtësi largësinë deri te dera e jashtme dhe doli në oborr. Dihaste sikur ta kishin ndjekur me vrap për kilometra të tërë. Nuk kishte kaluar asnjë minutë, kur dëgjoi një bori makine. Ktheu kokën. Ishte i biri, Rexhoja. Kishte sjellë limuzinën e bardhë me të cilën do të shkonte të merrte nusen. I kishte rënë një nur dhe asaj nuk po i besohej që ishte i biri. Sa i bukur, sa burrëror iu duk! “Shtat lis si i ati”, – tha me vete. Iu afrua dhe e përqafoi. E puthi dhe i mori erë në gushë, pranë rrëzës së veshit. Me atë erë kishte kaluar vite që e mbante të shtrënguar në kraharor dhe me sytë kurrë mbyllur. E kishte rritur duke e ruajtur.
Hodhi sytë nga makina e bardhë. Vetëtitëse si një pelë e rritur në një lëndinë me trëndelinë. Nxitoi dhe u fut brenda në kullë, prej nga doli me të njëjtën shpejtësi. Kishte mbushur duart me shami të kuqe dhe ia zgjati të birit.
– Lidhi nëpër pasqyra, bir, nëpër doreza.
E vuri vetë të parën nga ana e shoferit.
Rexhoja filloi t’i vendoste një e nga një. U krijuan vija të zjarrta nga të dyja anët. Limuzina e bardhë ishte ndezur nga shamitë e gjakta. Nënës i lëvizi zemra vendit nga gëzimi. I biri po gëzonte gjithashtu. Një çast sytë e nënës shkuan përsëri te kulla përballë. I kishte mbetur në mendje ajo kërcitje. “Po vdekja kërcet?” – e sulmoi një tjetër pyetje. Nuk donte ta tradhtonte veten. E bija kishte vënë muzikë dhe oborri u mbush plot tinguj.
– Hopa-hopa vallen, dhëndër! – iu drejtua ajo të vëllait me shami të kuqe në dorë.
Të dy filluan të kërcenin në oborrin e kullës mes të qeshurave. Ishte një valle ku këmbët pothuajse nuk preknin në tokë. “Vallja e ajrit” e quanin.
U ndez hareja në oborrin e kullës dhe muzika ishte në kupë të qiellit.Një çast Rexhoja e çoi dorën në zemër, gjunjët iu përthyen dhe u lëshua ngadalë drejt tokës. U shtri sa gjatë gjerë. Shamia e kuqe i shpëtoi nga dora dhe po vërtitej në ajër si një petale lulëkuqeje kur e rrëmben era.
– Rexho! – ulëriu e ëma dhe u turr drejt tij me shpejtësi.
– Rexho, Rexho! – klithi e tmerruar dhe e mbërtheu nga supet.
Në fytyrën e të birit ishte shpërndarë pluhuri i tokës, në gjoks një shami e kuqe ishte qëndisur. Në duart e së ëmës nxori frymën e fundit.
– Rexho! Rexhooooo!
Sytë e njerëzve u drejtuan nga kulla përballë. Vdekja ishte zgjuar befas prej saj. Ajo ishte bërë molë dhe strukej nëpër vjetërsira, ndaj nëna nuk mundi ta gjente dot. Ajo priste Rexhon, jo nënën.
—————-
Dizajn2019

KOMENTE