Ka shumë pyetje të cilat i bëjnë çiftet të cilat duan të mbeten shtatzënë, shumica e të cilave lidhen me seksin. Ja tre pyetje të shpeshta dhe përgjigjet e tyre.
A janë disa pozita seksuale më të mira se të tjerat për të mbetur shtatzënë?
Nuk ka dëshmi se ndonjë pozitë e caktuar seksuale është më e aftë për të dhënë rezultate pozitive. Ju mund të keni dëgjuar se pozitat të cilat depozitojnë spermën më afër qafës së mitrës – si pozita ‘misionare’ (mashkulli sipër) – janë më premtuese se pozitat tjera. Por nuk ka studime që e mbështesin këtë.
Koha e duhur, në anën tjetër, është një faktor vendimtar. Për të rritur gjasat për mbetje shtatzënë, bëni seks një ditë ose dy para kohës tuaj të ovulimit dhe pastaj sërish gjatë ditës së ovulimit.
Nëse kam orgazëm, a do të më ndihmojë kjo të mbetem shtatzënë?
Disa njerëz besojnë se një femër e cila arrin kulmin vetëm pasi partneri i saj ejakulon, rrit gjasat për të mbetur shtatzënë, por nuk ka dëshmi prapa kësaj. Orgazma femërore nuk është një përbërës i patjetërsueshëm i mbetjes shtatzënë, por është e mundshme që kontraksionet në mitër mund të ndihmojnë spermën të lëvizë drejt tubave të Fallopit. (Kontraksionet e tilla pa dhimbje ndodhin në mënyrë të pavullnetshme edhe kur ju nuk bëni seks, veçanërisht rreth kohës së ovulimit).
A duhet të qëndroj shtrirë më pas?
Nuk ka dëshmi se kjo e bën diferencën, por së paku dihet se kjo nuk bën keq. Duke qëndruar shtrirë për 15 minuta ose afërsisht kaq pas marrëdhënies, kjo lejon farën të mbetet në vagjinën tuaj. Sigurisht, ka miliona spermatozoide në secilin ejakulim, andaj duhet të ketë mjaft spermë në vagjinën tuaj edhe nëse çoheni menjëherë në këmbë.
Nëse keni provuar të mbeteni shtatzënë për një vit ose më shumë dhe pa sukses (ose tre deri në gjashtë muaj nëse jemi mbi 35 vjet), ose nëse keni periudha të çrregullta menstruale, zgjidhja më e mirë është të vizitoni specialistin.