DYLON

Tre muaj nga protesta e 27 janarit, asnjë polic i dënuar për dhunën që ushtruan

Avatar photo Redaksia

Sot bëhen 3 muaj nga protesta gjithpopullore e 27 janarit, për shkarkimin e ish ministrit Jabllanoviq si dhe heqjen e nenit që e lidhte fatin e Trepçës me komunat që qeverisen nga Lista Serbe. Kjo protestë pati sukses të plotë në kërkesën e parë dhe sukses të pjesshëm në të dytën. Por çka e karakterizoi protestën gjithëpopullore të 27 janarit, ndër të tjera, ishte vullneti dhe vendosmëria e madhe e qytetarëve për ta detyruar Qeverinë që t’i dëgjojë. Si dhe në anën tjetër, vullneti i madh i Qeverisë që ta shtypë protestën paqësore, përmes dhunës së policisë.

Lidhur me këtë çështje, ne konferencën e sotme për media foli Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi. Ai tha se afër 100 qytetarë u lënduan në protestë nga brutaliteti policor, kurse dhjetëra të tjerë u arrestuan dhe u rrahën e keqtrajtuan edhe brenda stacioneve policore. “Sot, njëri nga protestuesit, Uran Qarolli, ende e ka syrin e lënduar dhe nuk dihet nëse do t’i shpëtojë. Më 3 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal në lidhje me aktet e dhunës të kryera nga Policia e Kosovës gjatë, para dhe pas protestës së mbajtur më 27 Janar. Ky kallëzim penal është drejtuar kundër komandantëve dhe shefave të policisë që kanë drejtuar operacionet policore, dhe gjithashtu është drejtuar kundër policëve të identifikuar me numrat e tyre, si dhe ndaj policëve që nuk e kanë mbajtur numrin e identifikimit. Ne i kemi ofruar Prokurorisë prova të mjaftueshme për të ngritur padi për vepra si “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “akte dhune që përbëjnë torturë” ,”kanosje me jetë”, “lëndime të rënda trupore”, etj. Deri më sot, nuk ka as edhe një rast të suspendimit apo dënimit të ndonjë polici që ka kryer vepra penale duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve që protestuan më 27 janar. Po ashtu, nuk kemi asnjë informacion nga Prokuroria, në lidhje me padinë e ngritur nga ne për dhunën e ushtruar atë ditë”, theksoi Çaushi, duke shtuar se në anën tjetër, gjatë dhe pas përfundimit të protestës, me urdhër të Prokurorisë, janë arrestuar dhe mbajtur në paraburgim dhjetëra qytetarë ndaj të cilëve, megjithëse janë liruar nga paraburgimi, vazhdon procedura penale.

EkoHigjiena

Ai ndër të tjera tha se aktivitetet dhe protestat tona paqësore, janë përcjellur shumë shpesh me dhunën e policisë, me ç’rast ne kemi bërë padi disa herë dhe kemi ofruar prova qoftë në Prokurori apo në Inspektoriatin Policor të Kosovës, por nuk e dijmë asnjë rast kur ndonjëri nga këto organe ka marrë masa për të dënuar dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe aktivistëve. “Zelli i madh i Prokurorisë për të urdhëruar arrestimet e qytetarëve dhe për të nisur procedura penale ndaj tyre, si dhe mungesa absolute e vullnetit për të ndjekur penalisht policët që ushtruan dhunë ndaj protestuesve të 27 janarit, flasin për tendencën e pushtetit që t’i bëjë të dënueshme protestat paqësore, kurse në anën tjetër ta inkurajojë dhunën e Policisë atëherë kur protestat ndodhin. Kjo gjë është tipike për regjimet autoritare, të cilat duke qenë të vetëdijshme se planet dhe veprimet e tyre janë në kundërshtim me interesin publik, i frikësohen shumë pakënaqësisë qytetare dhe bëjnë çmos që ta parandalojnë dhe shtypin atë”, tha në fund Çaushi.