/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar edhe nga nënkryetari dhe përgjegjësi për kulturë, kanë pritur sot në një takim pune zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, me të cilin kanë bashkëbiseduar për mundësinë e investimeve më të mëdha në këtë fushë në Gjilan, në mbrojtje dhe restaurim të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe promovimin e tyre.
Gjithashtu bashkërisht kryetari Haziri dhe zv.ministri Hoti kanë vizituar punimet që janë duke u bërë në objektet e trashëgimisë kulturore si në Muzeun e Gjilanit, në shkollën e Muzikës dhe në të njëjtën kohë kanë vizituar edhe xhaminë Atik.
Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se pas zv.kryeministrit, Kujtim Shala, i cili është njoftuar saktësisht me nevojat e mëdha që ka Gjilani në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, ardhja e zv.ministrit, Rexhep Hoti, dëshmon për një përkujdesje të shtuar për Gjilanin.
“Ne pos pritjes që i kemi bërë zv.ministrit Hoti, bashkërisht, vizituam edhe objektet e trashëgimisë kulturore në Gjilan siç është Muzeu i Qytetit dhe shkolla e Muzikës që është duke u punuar në këto dy objekte, gjithashtu një vizitë e kemi bërë edhe në Atik Xhaminë, por edhe objekte të tjera që janë nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, duke falënderuar ministrinë për mbështetje gjatë të ardhmes.
Hairi gjithashtu gjatë vizitës së përbashkët që kanë bërë në Atik Xhaminë, u kanë dhënë lajmin se gjatë vitit të ardhshëm është propozuar që të bëhet renovimi dhe mirëmbajtja e saj, sepse xhami e njëjtë ndodhet vetëm në Ohër, që si ndërtim korrespondon me vlera fetare dhe kombëtare.
“Ky objekt i ndërtuar me elemente fetare dhe kombëtare ndër më të vjetrit në Gjilan, është i mbrojtur nga qeveria e Kosovës, do të rinovohet dhe mirëmbahet, duke i kthyer pamjen origjinale, sepse e ardhmja e Gjilanit është më e mirë vetëm duke ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore”, përfundoi ai.
Nga ana e tij, zv.ministri Rexhep Hoti, ka thënë se Gjilani së bashku me Prizrenin kanë një qytetari dhe kulturë të veçantë që kulmon me vlera të shoqërisë sonë, me shumë vlera të trashëgimisë kulturore, historike të gërshetuara në diversitet kulturor.
“Jam njoftuar nga kryetari Haziri për nevojën e madhe të përkujdesjes që kërkojnë objektet e trashëgimisë kulturore. Ne jemi sot këtu që ta forcojmë edhe më shumë 1.5 milionëshin e ofruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mënyrë që të ecim përpara, sepse pos trashëgimisë, dhe historisë, Gjilani ka edhe një karakteristikë të veçantë, atë të diversitetit kulturor. Kjo është një vlerë që në të ardhmen do të kemi mundësinë të prezantohemi çdo ku. Prandaj ne kemi mundësi që përmes trashëgimisë kulturore të nxjerrim vlera, çoftë nga nëntoka apo nga ndërtimet e vjetra antike për t’i ofruar botës së sotshme, vlera të mirëfillta të një qytetërimi shumë të lashtë”, tha ai duke shtuar se Gjilani ka edhe një element tjetër shumë pozitiv atë të njeriut punues që vihet re gjithandej. /2L ONLINE/