DYLON

Transformimi i FSK në FAK-imperativ i kohës

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ilir Sefaj

/2L ONLINE/ – Ushtria Çlirimtare e Kosovës u transformua në TMK në vitin 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s dhe fillimit të ndërtimit të administratës së UNMIK-ut në Kosovë. Pra, UÇK shndërrohet në TMK menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe kjo ndodh përkundër faktit që rezoluta 1244 e OKB-së parashikonte shpërbërjen e UÇK-së. TMK-ja si pasardhëse e UÇK-së krijohet në shtatorin e vitit 1999 me rregulloren 1999/8 të kryeadministratorit Bernard Kushner.

EkoHigjiena

Kjo fitore politike e asaj kohe do të marrë konotacione edhe më pozitive më 20 janar 2009, kur gati një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, TMK-ja shndërrohet në FSK (Forca e Sigurisë së Kosovës), një rekomandim ky i dalë nga Pakoja e Presidentit Ahtisari.

Tani kur nuk do të kalojnë edhe shumë ditë që kur FSK do ta kremtojë 7-vjetorin e ekzistencës së saj, dhe Kosova do ta festojë 8-vjetorin e shtetëzimit të saj, FSK si institucioni më i besueshëm dhe më kredibil i vendit ka mbetur si një oazë e vetmuar në Kosovën “problematike”!

Pavarësisht problemeve politike, sociale e ekonomike me të cilat karakterizohet vendi ynë sot, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës është imperativ i kohës. Këtë e dëshmon çdo hulumtim, këtë e dëshmon edhe hulumtimi i fundit i publikuar nga Qendra Kosovare për studime të Sigurisë (Barometri i Kosovës për Siguri), ku 88% e qytetarëve të vendit janë deklaruar pro transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

Rrugëtimi i FSK-së drejt realizimit të objektivave dhe përmbushjes së kapaciteteve të plota operacionale në këto shtatë vite të ekzistencës së saj, nuk ka qenë aspak i lehtë, megjithatë sukseset e këtij institucioni janë evidente. Duke u bazuar në kompetencat dhe mandatin e saj Forca e Sigurisë së Kosovës si asnjë institucion tjetër ka dëshmuar përgjegjësi para qytetarëve të vendit.

Besueshmëria e qytetarëve të Kosovës karshi këtij institucioni nuk është lëkundur në asnjë rrethanë. Falë punës, angazhimit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj Force, FSK si institucion vazhdon ta mbajë primatin përsa i përket besueshmërisë së qytetarëve të vendit.

Se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucion serioz dhe meriton respekt dhe përkrahje të pa-rezervë dëshmon gatishmëria e Gardës Kombëtare të Ajovës për t’i ofruar bashkëpunim të dyanshëm FSK-së në shumë fusha të përbashkëta, e me theks të veçantë në fushën e shkollimit e që përfshin: trajnimet, ushtrime me ekipe mobile, bashkëpunim në fushën e komunikimit etj.

Sukseset e FSK-së nuk mbarojnë këtu. Se Kosova meriton ta ketë ushtrinë e saj dëshmojnë edhe sukseset e treguara nga ana e pjesëtarëve të kësaj Force në të gjitha manifestimet me karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Kujtojmë këtu Ushtrimin fushor Ndërkombëtar “Kampi veror 2012” i cili u mbajt në poligonin ushtarak në Krivollak të Maqedonisë, ku kadetët e FSK-së arritën rezultate të shkëlqyeshme si në nivelin ekipor edhe atë individual. Në këtë Ushtrim me karakter ndërkombëtar pjesëmarrës ishin edhe kadetët nga: Britania e Madhe, Bullgaria, Mali i Zi, Turqia dhe Maqedonia.

Sukseset e FSK-s nuk janë të vogla dhe për t’u injoruar as edhe në planin individual. Vetëm pak ditë më parë oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismajl Hoxha, pas 12 muajsh shkollimi në Akademinë Mbretërore Ushtarake –Sandhurst, në Britani të Madhe, fitoi çmimin oficer-kadeti më i mirë ndërkombëtar, duke u bërë oficeri i parë nga Ballkani që nderohet me një çmimin të kësaj natyre.

Në ceremoninë për nder të kësaj arritjeje, oficer Ismajl Hoxhës i është dhuruar shpata si nderim për këtë çmim, nga princi Charles, i cili ka ndarë çmimet më të larta në emër të Mbretërisë së Bashkuar dhe Akademisë Mbretërore Angleze.

Së këndejmi, Forca e Sigurisë së Kosovës në harmoni me mandatin që ka, është dëshmuar me përkushtimin e saj në të gjitha fushat më vitale të jetës sonë shoqërore, duke ju gjendur pranë komuniteteve në tejkalimin e të gjitha sfidave me të cilat u ballafaquan ata në të shkuarën dhe mund të ballafaqohen në të ardhmen.

Tash kur jemi në prag të dy datave të rëndësishme për shtetin tonë; 7- vjetori i FSK-së, dhe 8-vjetori i pavarësisë, qytetarët e Kosovës duan që më së largu pjesa e parë e 2016-s institucionin më kredibil të vendit, FSK-në, ta shohin të jetë shndërruar në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës) dhe kështu të njësohet dëshira dhe vullneti i popullit me amanetin e dëshmorëve të kombit të cilët në të gjallë të tyre në rrethana epike krijuan ushtrinë e shenjt të quajtur UÇK. /2L ONLINE/

(Autori është Oficer në Komponentin Rezervë të FSK-së, OF-2, qëndrimet janë personale)

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.