(2LONLINE) – Në kuadër të projektit “Ndërmarrësia dhe partneriteti bazë e zhvillimet ekonomik”, që implementohet nga OJQ ELITA në Viti, në mbështetje të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, është duke u mbajtur një trajnim ku po marrin pjesë 40 punëkërkues të rinj të Komunës së Vitisë për plan biznesi dhe tatim taksa. Interesim për këtë trajnim ka shfaqur kryetari i komunës Sokol Haliti i cili ka takuar sot organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij trajnimi.
Me këtë rast ai ka thënë se ky angazhim i shoqërisë civile në aftësimin e punëkërkuesve të rinj, ka një rëndësi të veçantë për realizimin e objektivave të institucioneve komunale për krijimin e kushteve për vende të reja të punës.
“Përgatitja profesionale e punëkërkuesve të rinj që ata të jenë të aftë për të siguruar vende pune, ka ardhur në kohën kur institucionet komunale tani më kanë filluar me realizimin e projekteve të ndryshme, që krijojnë kushte më të mira si për punësim ashtu edhe për zhvillim, prandaj si komunë do të mbështesim çdo aktivitet të shoqërisë civile dhe donatorëve që është në interes të zhvillimit ekonomik të komunës”, ka thënë Haliti.
Ndërsa Mentor Rexhepi, trajner profesional në trajnimet për ndërmarrësi, ka thënë se ngritja e kapaciteteve të punëkërkuesve të rinj që ata të jenë të aftë për të hapur bizneset e tyre, ka një rëndësi të veçantë për gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe zbutjen e shkallës së papunësisë në komunë, prandaj përmes këtyre trajnimeve intensive këta punëkërkues të rinj, nesër do të jenë të aftë për të filluar me bizneset e tyre apo për të qenë pjesë e ndonjë ndërmarrje ekzistuese. Ai ka thënë se përmes këtij projekti krahas 40 punëkërkuesve të rinj nga komuna e Vitisë, do të punohet edhe me 15 punëkërkues nga komuna e Kllokotit, si dhe do të avokohet tek institucionet komunale të këtyre komunave që ato të fillojnë me tërheqje të investimeve përmes partneritetit publiko –privat , në mënyrë që të krijohen sa më shumë vende të reja të punës.
Kurse Isuf Behluli, përgjegjës i zyrës komunale për punësim, është shprehur se zyra për punësim ka përkrahur këtë iniciativë të OJQ ELITA, pasi nevoja e punëkërkuesve të rinj të komunës së Vitisë dhe Kllokotit për tu kualifikuar në ndërmarrësi është e madhe.
Ndërsa, Veton Ademi, drejtor komunal për bujqësi, ka theksuar se trajnimet për plan biznesi janë të një rëndësie të veçantë pasi përmes këtyre trajnimeve të rinjtë mund të përfitojnë grande nga subvencionet që ndahen për bujqësi si dhe mund të ndihmojnë fermerët në hartimin e planeve të biznesit për të përfituar këto grande.
Për punëkërkuesen Shkurta Zeqiri, ky trajnim është i rëndësishëm pasi ndihmon në krijimin e përvojave të reja se si mund të hapet dhe menaxhohet një biznes i suksesshëm. /2lonline/