Trajneri i Gjilanit paqësor, lavdëron futbollistët dhe arbitrat

Trajneri i Gjilanit paqësor, lavdëron futbollistët dhe arbitrat

SC Gjilani ka fituar me përmbysje përballë Feronikelit në udhëtim (2-1) dhe mori kreun e tabelës.

Trajneri i gjilanasve, Gentijan Mezani befasoi me deklaratën e tij pas ndeshjes, i cili krahas performancës së lojtarëve vlerësoi kontributin e arbitrave.

Kjo u pa si e pazakontë, pasi gjyqtari kryesor nuk akordoi penallti për ‘të kuqtë’ në pjesën e parë, ndërsa u shqiptuan plot pesë karton të verdhë për futbollistët e Gjilanit.

“Kemi bërë një ndeshje të bukur sot dy skuadrat. Përveç se fitoi skuadra ime, mendoj që sot fitoi futbolli në përgjithësi. Kjo ndeshje kishte shumë ritëm dhe kompliment për këtë kishin edhe arbitrat, të cilët e ndaluan shumë pak lojën. Duhet ti gëzohemi kësaj fitore, pasi që vjen ndaj kampionit në fuqi dhe për më tepër një skuadre që është jashtëzakonisht e fortë, deklaroi Mezani pas ndeshjes.

Më pas 43 vjeçari foli edhe për garën e titullit kampion dhe dha një mesazh për futbollistët e tij.

“Klasifikimin duhet ta shohim në fund dhe jo tani. Puna jonë është që ta mbajmë skuadrën me këmbë në tokë dhe të punojmë për ndeshjen e radhës. Nuk duhet të kalojmë në eufori, por të punojmë me qetësi dhe të shohim para”, përfundoi kryetrajneri i ‘kuqebardhëve’.

Tri pikë të reja për skuadrën e Gentjan Mezanit që tani me 21 pikë e kryeson renditjen tabelare në Superligën e Kosovës.

KOMENTE