Bota e futbollit ka pësuar një goditje të madhe nga pandemia koronavirus i cili tashmë është shndërruar në një shqetësim global. Humbjet ekonomike janë të mëdha në futboll, madje ka të atillë që mendojnë se kurrë nuk do të kthehet gjendja që ishte para koronavirsit.
Padyshim kjo situatë përveç dëmeve materiale, ka sjellë dëme edhe te vetë lojtarët që po stërviten individualisht dhe kjo sigurisht është shumë pak kur dihet se futbolli është një lojë kolektive dhe stërvitjet në grup janë mese të domosdoshme.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë se situata nuk është aspak e mirë për lojtarët, por sipas tij, në këto momente e rëndësishme është të jemi të disiplinuar, t’i respektojmë rregullat e vëna nga institucionet në mënyrë që të mposhtet fillimisht ky virus e pastaj të mendohen gjërat tjera.
“Po kalojmë një situatë të vështirë, por duhet të tregohemi të disiplinuar në çdo aspekt duke respektuar rregullat që po na rekomandohen nga institucionet. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me futbollistët, planprogramin që po marrin besoj që çdonjëri po e kryen në mënyrën më të mirë. Do të bëjmë atë që mundemi dhe atë që kemi në kontroll, në raste të tilla mendoj se vetëdisiplina është kryesorja. Çdo futbollist është profesionist dhe është i përgjegjshëm për vetën e vetë.
Ne kemi besim tek futbollistët, sepse të gjithë janë me eksperiencë dhe janë të vetëdijshëm që duhet ruajtur formën fizike”, vlerësoi tekniku i Dritës, i cili e pranon se ky pushim mund të lë pasoja dhe se ju duhet një kohë për ta kthyer formën që kishin para pandemisë.