Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së nëntë në Superligë. Ndeshja e zhvilluar në Skenderaj, mes Dritës dhe Drenica ka përfunduar me barazim 1:1. Edhe pse gjilanasit kishin iniciativë dhe zhvilluan lojë më dinamike, vetëm Gilberto Fortunado arriti të shënojë gol.
Për këtë rezultat, kryetrajneri i FC Dritës, Ardian Nuhiu nuk ka mbetur aspak i kënaqur me futbollistët e tij.
“Duhet të kishim më tepër motiv për të shënuar golin e dytë. Për të fituar këtu duhet bërë më shumë për fitore. Drenica na ndëshkoi në fund, pasi që ne nuk arritëm të mbyllnim ndeshjen me kohë”, deklaroi Ardian Nuhiu.
Ai foli edhe për ndeshjen e radhës që gjilanasit e zhvillojnë ndaj FC Ballkanit në xhiron e ardhshme, e cila luhet pas dy javësh.
“Kemi humbur dy pikë shumë të rëndësishme, por kampionati është ende i gjatë dhe ka shumë lojë. Tani e kemi ndeshjen me Ballkanin dhe do fillojmë të përgatitemi për atë ndeshje, sepse ne dëshirojmë që t’i marrim ndeshjet më radhë”, përfundoi Nuhiu.