Fc. Ballkani ka bërë detyrën përballë Ferizajt, ekip të cilin e mposhti në udhëtim 1-2. Kryetrajneri i KF Ferizajt, Bekim Isufi është ndarë i zhgënjyer nga paraqitja e futbollsitëve të tij.
Sipas teknikut gjilanas skuadra e tij po i mundëson kundërshtarëve të shënojnë gola të lehtë, ndërkohë që vështirë po krijojnë raste.
“Shënuam një gol dhe në pjesën e dytë ishim në lojë, por Ballkani u mbrojt mirë, ata e kanë ditur pse kanë ardhur këtu dhe realizuan qëllimin duke mbrojtur rezultatin”, u shpreh Isufi.
Ish-trajneri më i mirë në vend foli edhe për masat që duhet ti marrë ekipi tij për ndeshjet e ardhshme.
“Përgjithësisht kundërshtarëve po ua mundësojmë që lehtë të vijnë deri tek porta jonë, kurse me shumë vështirësi po krijojmë raste. Ndoshta kjo flet edhe për mungesë kualiteti, por situata është kjo që është dhe duhet të tentojmë të përmirësohemi në vazhdim”, përfundoi Isufi.
Ferizaj gjendet në pozitën e dhjetë të renditjes tabelare me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara.