(2LONLINE) – Nga e thëna në të bërë, ekziston një det i tërë’, është një thënie që njihet në popull, dhe domethënia e saj është thjesht dallimi ndërmjet të dëshirueshmes dhe të realizueshmes.
Në zbërthimin teorik, idealizmi është një teori filozofike si një opozitë e realizmit dhe materializmit, ku mendja, mendimet dhe idetë e kontrollojnë realitetin tonë. Idealizmi është një teori ku natyra qenësore e realitetit ndërlidhet me ndërgjegjen apo arsyen.
Idealizmi pra, është një veprim apo praktikë e parafytyrimit të gjërave në një formë ideale dhe është objekt i një perceptimi të jashtëm në vetvete, që nënkupton edhe trajtimin e idealizuar të një çështjeje apo ideve të caktuara.
Në praktikë, idealizëm është qëndrimi i një personi i cili beson se është e mundur të jetohet në përputhje me standarde shumë të larta të sjelljeve morale dhe të ndershmërisë.
Një proverb thotë ‘mos prisni që gjërat e mira të ju kërkojnë juve, por ju duhet ti kërkoni ato’.
Nëse mund të themi se nuk ekziston idealja dhe se idealizmi ndërtohet në baza jo reale, mund të themi gjithashtu se pasuesit apo ithtarët idealistë janë kategoria e njerëzve më të zhgënjyer të shoqërisë, pasi që në njëfarë mënyre i gjithë koncepti dhe vizioni i tyre për shoqërinë dhe shtetin nuk është ndërtuar në baza reale.
Nga perceptimi rreth pritshmërive të mëdha dhe devijimi nga rruga e imagjinuar, tek shumë aktivistë dhe kontribuues të çështjes sonë kombëtare, por edhe nga qytetarë të thjeshtë, krijohet një përshtypje negative se mundi i shumë figurave kombëtare si dhe sakrifica e përgjithshme e popullit nuk është kurorëzuar dhe se ajo nuk po gëzohet nga më të merituarit duke u përputhur me idealet e atyre që u flijuan për një të ardhme më të mirë të gjeneratave që do ta gëzojnë lirinë e vendit, duke nënkuptuar këtu edhe lirinë e zgjedhjes, që është edhe thelbi i asaj që quhet liri.
Zhgënjimi i përgjithshëm qytetar, duke filluar nga të burgosurit politikë dhe deri tek luftëtarët e ushtrive çlirimtare si UÇK, UÇPMB apo Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është rezultat edhe i kompleksitetit të rrethanave nëpër të cilat kanë kaluar shumë procese në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin, duke i marrë parasysh zhvillimet brenda vet faktorit gjithëkombëtar, si në atë politik po ashtu edhe në atë ushtarak.
Përçarjet e faktorit politik shqiptar, historikisht kanë shkaktuar një kakofoni dhe shpërqendrim të energjive në drejtim të duhur, dhe si rezultat kanë prodhuar edhe dëshpërimin e popullit në faza të caktuara, se synimet tona nuk po përmbushen nga lidershipi dhe të zgjedhurit tanë.
Kështu, si zakonisht ndodh të harxhohen shumë energji në kotësira të ditës, dhe ballafaqimi me sfidat e brendshme dhe të jashtme shpie deri tek zhgënjimi i vet bartësve të atyre proceseve, ku shumica ndihen të tradhtuar nga shokët dhe grupi me të cilët janë munduar t’i realizojnë ato qëllime sublime kombëtare. Shpenzimi i energjive mund të ketë shpjerë edhe në tradhti ndaj vetvetes nga një idealist në rast se ai nuk mund t’i përballojë torturat psikike dhe fizike, apo në rast se morali i tij bie ose ai ka qenë i pamjaftueshëm për t’i tejkaluar sfidat e kohës. Bazamenti mbi të cilin idealistët do ta kenë ndërtuar idealin e tyre për realizimin e një synimi madhor do të jetë e shkatërruar, pasi që ata nuk e kanë menduar mirë rrugën dhe greminat nëpër të cilat do të duhet të kalonin deri në arritjen e cakut, apo mund të mos e kenë menduar mirë se brenda grupit të shokëve mund të ketë edhe tradhtarë që në çdo moment do t’i braktisin ato ideale për të cilat ishin marrë vesh së bashku. Shkelja e betimit dhe devijimi nga rruga e proklamuar do të jetë barra më e rëndë që do ta bartin mbi supe të gjithë ata atdhetarë që ishin munduar të japin gjithçka nga vetja e tyre për sendërtimin e ardhmërisë së pasardhësve të tyre. Idealistët do të ndihen të tradhtuar kur do ta kuptojnë se disa nga shokët e idealit do ta materializojnë të gjithë mundin e tyre, duke u bërë milionerë në shpinë të atdhetarëve dhe të popullit që kishin dhënë gjithçka për të ardhur deri tek liria dhe krijimi i shtetit.
Krahasimi i gjendjes materiale dhe shpirtërore, e rrit zhgënjimin e përgjithshëm popullor se predikimi për moral dhe drejtësi është i kotë, sepse imoraliteti dhe padrejtësia do të sundojnë për shumë kohë derisa ne do të pranojmë të jemi të vettradhtuar dhe të vetmashtruar, sepse na pëlqen të n’a gënjejnë, kurse ne prap i përkrahim gënjeshtarët e njëjtë.
Shkalla e lartë e pritshmërisë!
Idealet kombëtare mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, në kuptim të asaj që është arritur, si për shembull liria, e cila nuk mund të jetë më në listën e pritjes pasi të jetë fituar ajo, dhe listës mund t’i prijnë të tjera synime siç mund të jetë zhvillimi ekonomik, punësimi apo bashkimi kombëtar. Gjenerata e liderëve që do të iu bie hise të jenë në ballë të proceseve do të gjykohet nga momentumi politik, por ajo do të vlerësohet edhe në sfondin historik për të gjitha arritjet dhe ngecjet, fajet dhe meritat që do të duhej t’iu takonin.
Nga dështimet e një lidershipi apo të një qeverie në një mandat të caktuar, si kundërpeshë shkaktohen zhgënjime dhe pakënaqësi të mëdha popullore, si dhe në të njëjtën kohë edhe shkalla e pritshmërive për qeverinë pasardhëse rritet së tepërmi, që është pastaj një cikël i zhgënjimit të radhës për shkak të këtyre lëkundjeve emocionale. Kjo mund të ilustrohet me shembullin e krijimit të kurbave apo flluskave në ekonomi, ku sa më të mëdha do të jenë lëkundjet nga mbinxehja ekonomike, aq më të mëdha do të jenë pasojat në rast të një krize apo shpërthimi. Kështu pra edhe në rastin e lëkundjeve emocionale kemi të njëjtat pasoja në rast se me vetëdije ose pa të, ne ngrisim shkallën e pritshmërive, ku pas një dështimi të përmbushjes së synimeve pason rënia e kurbës emocionale dhe zhgënjimi rritet deri në një shkallë të rrezikshme të përmbysjes dhe prishjes së balancave për mbajtjen e qetësisë sociale.
Lufta për moral dhe drejtësi duhet të vazhdojë, dhe duhet të mbahen gjallë shpresat se e drejta duhet të fitojë mbi padrejtësinë, se do ta përmirësojmë gjendjen në vend së bashku. Nëse këtë formulë nuk do të mundohemi ta gjejmë së bashku, si shoqëri dhe si shtetas të një vendi me perspektivë të padefinuar, ne rrezikojmë të dështojmë ta humbim rrugën në oborr, dhe për këtë do të na gjykojnë gjeneratat që vijnë. Nuk them se ekziston një formulë magjike për t’i ndryshuar gjërat, por duhet së bashku me partnerët tanë perëndimorë të angazhohemi dhe të ndërtojmë strategji për forcimin e institucioneve të pavarura gjyqësore dhe të kontrollit, me qëllim që sa më shpejt t’i bashkohemi familjes evropiane me vlera dhe me standarde demokratike dhe ekonomike. /2lonline/
Nexhat HAJRULLAHU