DYLON

Toleranca ndërfetare

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Jemi dëshmitarë të zhvillimeve globale ku fal zhvillimit të shkencës një pjesë e botës ka arritur të konsolidohet në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe gjithashtu është pjesa tjetër e botës e cila në përditshmërinë e tyre ballafaqohet me varfri diskriminim dhe luftëra. Në të dyja këto pole të aktiviteteve shoqërore, njeriu i këtij shekulli, paralelisht zhvillon edhe jetën shpirtërore ku stadet e zhvillimit të saj, përcillen apo determinohen nga niveli i zhvillimeve të përgjithshme shoqërore që ka arritur një shoqëri.

Kosova si shtet, gjeografikisht dhe për nga niveli i zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, gjendet në mes të këtyre zhvillimeve dhe duke u përpjekur që të kapë nivelet e përgjithshme të zhvillimit të botës së konsoliduar, në radhë të parë ato të Bashkimit Evropian.

EkoHigjiena

Në përpjekjet prosperuese të Kosovës drejt vlerave Evropiane, një nga sfidat janë të drejtat e njeriut, pjesë e së cilës është edhe e Drejta e Besimit Fetar. Këtë çështje mjaft të ndjeshme, shteti i ynë i ri Kosova, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtarë është munduar ta rregulloj në tri drejtime; së pari duke ruajtur laicizmin e shtetit të Kosovës; së dyti, duke u bazuar në realitetin historik dhe faktik të Kosovës si vend në të cilin ekzistojnë tri fetë më të mëdha; dhe së treti, duke u bazuar në praktikat më të mira të shteteve Evropiane ku ne synojmë të aderojmë.

Gjithnjë duke i përfillur këto tri drejtime bazike dhe me pikësynimin që në aspektin e të Drejtës për Besim Fetar të mos ndihet askush i diskriminuar, kjo është futur si kategori kushtetuese. Dhe se cila ka qenë ndjeshmëria e hartuesve të kushtetutës dhe e Kuvendit të Kosovës si organ që e ka aprovuar atë, flet materia e cila rregullon këtë çështje që është e përfshirë në kapitujt më të ndjeshëm të kushtetutës; në Kapitullin e I, “Dispozitat themelore” në dy nene, në nenin 8 ku përkufizohet laicizmi i shtetit të Kosovës dhe në nenin 9 ku shteti garanton mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare. Gjithashtu dhe në Kapitullin e II, ku përfshihen  “Të drejtat dhe lirit themelore”, në mënyrë direket kjo materie rregullohet me 4 nene, në nenin 38 përfshihet “Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë”, ne nenin  39 “Konfesionet Fetare” dhe në nenin 40, “Liria e Shprehjes”, si dhe interferohet nga 3 nene të tjerë (23, 36, 43)

Gjithashtu duke u bazuar në kushtetutë në mënyrë më koncize kjo çështje rregullohet edhe më ligjin “Për Lirinë fetare në Kosovë”  Nr.02/L-31, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës me 31.07.2006. dhe shikuar nga ky pikëvështrim, kjo materie në Republikën e Kosovës është e rregulluar në nivel të kënaqshëm.

Gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm edhe si individ, por dhe shoqëri se ka ende hapësirë që kjo materie të rregullohet dhe për neve kjo është shumë normale. Mirëpo ajo që dua ta theksoj me këtë rast është fakti se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës ka disponimin e mirë që të jetë në shërbim të asaj që varësisht nga periudha historike dhe disiplinat shkencore është quajtur si: “ekumenizëm ndërfetar” si “konvergjencë ndërfetare”, ose si “tolerancë”, “bashkëjetesë” apo “harmoni fetare”.

Në Kosovë, por edhe hapësirat shqiptare, ekzistenca e kësaj ndjenje në përgjithësi nuk është ndikuar vetëm nga ligji. Në aspektin kohor, forca e ligjit në këto hapësira është shumë e shkurt në krahasim me atë pa ligj. Kjo ndjenë e konvertuar në virtyt është në radhë të parë pjesë e traditës tonë familjare dhe kombëtare (para krishtere dhe para Islame). Respekti, për mendimin ndryshe, për besimin ndryshe dhe për ata që kanë kombësi dhe racë tjetër, është virtyt i cili shquhet ndër shqiptarët dhe është evidentuar nga udhëpërshkrues, kronist dhe historian që kanë vizituar trevat ilire-shqiptare. Përqafimi i krishterimit nga shqiptarët e përforcoi edhe më tepër këtë virtyt pasi edhe kjo fe, si pikë nisje dhe si ekzistencës në tokë bazë ka “vëllazërinë njerëzore”

Konteksti historik dhe rrethanat bën që në shekullin XXI, ne shqiptarët në përgjithësi, të jemi të përfshirë në tri besime fetare; në atë Islam, Ortodoks dhe Katolik. Ky kontekst dhe këto rrethana bën që ne në Kosovë t’i përkasim në mas të madhe besimit Islam dhe në pakicë atij katolik. Dhe pa marrë parasysh këtë, e gjithë historia e jonë fetare shquhet për një koekzistencë (po e quajmë) në frymën e ekumenizëmit ndërfetar. Tendencat e kohëpaskohshme për prishjen e këtij kohezioni kanë dështuar vazhdimisht dhe te shqiptarët kanë marrë epitetin e tradhtisë kombëtare.

Në ruajtjen e kësaj harmonie ndikim kanë pasur të tria besimet fetare, por pesha i takon gjithnjë shumicës, e që në Kosovë meritë për këtë kanë predikuesit fetar islam, të cilët në predikimet e tyre fetare diversitetin gjuhësor, racor dhe fetarë e shpjegojnë si vullnet të Zotit të madhërishëm. Ky vullnet nga predikuesit fetar islam bazohen nga libri i shenjt Kurani në të cilin Allahu i madhërishëm i porosit njerëzit: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe prej një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete. Ndërsa më i ndershmi ndër ju është ai i cili më së shumti ka frikën e Zotit. Zoti është i gjithëdijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”

Pa dashtë të interpretojmë këtë dispozitë hyjnore nga Kurani i shenjtë, vetvetiu nënkuptohet  porosia dhe respekti që çdo njeri duhet të ketë në radhë të parë për njeriun, dhe gjithashtu nënkuptohet mallkimi për ata që tentojnë të ndryshojnë këtë vullnetin e Zotit.

Në Kosovën e pas vitit 1999, u krijuan realitete të reja edhe në skenën e marrëdhënieve fetare. Nën petkun e aktivistëve humanitar apo OJQ-ve, në Kosovë vërshuan misionarë nga të katër anët e botës të cilët bën përpjekje që të ndryshojnë mënyrën e predikimit fetarë si te shqiptarërët e besimit Islam ashtu edhe ata katolik. Një pjesë e tyre thjeshtë predikonte; duke mos tentuar që të dryshon esenca e predkimit, por vetëm praktikat. Një pjesë tjetër, që ishte shumë e vogël, manifestonte edhe përpjekje më radikale e cila në thelb kishte edhe tendenca për ndryshimin e mënyrës së predikimit nga ajo tradicional. Pavarësisht se kjo nga media u ngrit si shqetësim (dhe mirë u bë që u ngrit), kjo tendencë vazhdon të mbetët e kfizuar dhe e izoluar. Se sa është masa përkrahëse e kësaj fryme në Kosovë dëshmojnë zgjedhjet e fundit ku kjo frymë është në nivelet shumë të ulta. Po të krahasohet, ajo në përqindje del e barabartë me organizatat ultra majtiste, apo ultra djathëtiste që gjenden në shtetet e ndryshme të Evropës.

Lirije Kajtazi Deputete e Parlamentit të Kosovës

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.