Ajo që kishte filluar si lojë fëmijësh, për pak u shndërrua në aksident që mobilizoi numër të madh të policëve. Tre djem të rinj dhe tri vajza moshatare të tyre po rrinin në banesën e njërës nga vajzat, në Cham të Bavarisë, Gjermani. Papritmas, njëri nga të pranishmit, një shtetas kosovar i moshës 18 vjeçare fillon të “luajë” me revolen e tij.
Pasi e fut një fishek në karikatorin e revoles, ia drejton atë vajzës 16 vjeçare në kokë dhe qëllon! Kështu bën edhe me vajzën tjetër. Por në fakt, ato të dyja kalojnë pa pasoja për faktin se revolja ishte lodër, ashtu si dhe fishekët. Mirëpo, se e gjithë kjo ka qenë vetëm lojë e pakripë e 18 vjeçarit, u konstatua vetëm një javë më vonë. Në ditën kur njëra nga vajzat e ka paraqitur rastin në polici, shkruan n24.de, transmeton albinfo.
Duke menduar se fjala kishte qenë për një “rulet rus”, nga i cili vetëm rastësisht nuk kishte pasur viktima, policia në numër të madh ka bastisur kosovarin, te i cili ka gjetur një revole frikësuese. Policët e kanë arrestuar përkohësisht të riun dhe, sipas një zëdhënësi, është konstatuar se ai nuk ka pasur në asnjë mënyrë qëllim të vrasë dikënd por se fjala është vetëm për një lojë makabre që për fat ka përfunduar pa pasoja.