DYLON

Timbri i veçantë skenik i Musa Robellit, pikënisja e një karriere të bujshme artistike

Timbri i veçantë skenik i Musa Robellit, pikënisja e një karriere të bujshme artistike
Avatar photo Redaksia

Nga Isak N. Bilalli   

Musa Robelli, një emër ndoshta më pak i njohur për gjeneratat e reja, por një figurë tejet e rëndësishme me kontribut përmbajtjesor sa i përket historikut të funksionimit dhe ekzistencës së Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Them ndoshta më pak i njohur për gjeneratat e reja për faktin se më shumë se tri dekada jeton dhe vepron në Suedi, i shkëputur nga jeta aktive artistike, por ai ishte dhe mbetet i denjë dhe artist par-excellence për të gjithë ata që ndoqën jetën kulturore në Kosovën e paraluftës.

EkoHigjiena

Musa Robelli, ishte një nga argatët e kulturës (siç e quan ai veten) të cilin e morën me vete dallgët e zhvillimeve kulturore të kohës ngaqë ai veçohej për disa karakteristika unikale që skena e teatrit kishte nevojë për te.

Historia e angazhimit të tij është sa unike aq edhe kontraverse sepse në njëfarë forme rastësia e sjell atë në dërrasat e teatrit edhe pse ai me kohë ishte një dashamirës i artit e kulturës.

Për kohën, Musa Robelli ishte një intelektual me horizont të gjerë mendimi, respektivisht një person me kulturë civile të lartë që dashuronte kinematografinë amerikane, për të cilën temë ai nuk ngurronte të ofronte analiza dhe interpretime të thelluara dhe përmbajtjesore. Por, çfarë e mundonte të riun gjilanas ishte niveli zhvillimor për artin që kishte qyteti i tij dhe e gjithë Kosova në raport krahasimor me vendet perëndimore që kishin nivel shumë të lartë artistik e kulturorë. Kjo, dhe një mori përsiatjesh tjera e trazonin shpirtin e tij artistik për të bërë diçka ndryshe në teatër në shërbim të kulturës dhe  traditës shqiptare.

Si u piketua Musa Robelli për të hyrë përmes portës së madhe në teatër?

Historia e angazhimit të tij në botën e skenës, sa është e thjeshtë dhe e ëmbël për nga mënyra është aq edhe unike ndaj si e tillë lidhet ngushtë me qytetin e Mitrovicës, qytet në të cilën kohë Musa Robelli studionte shkencat inxhinierike.  Në rastin konkret kjo histori lidhet me emrin e regjisorit mitrovicas, Dibran Fyelli, të cilin rastësia e dërgon në disa raste në mensën e studentëve jo me qëllim skautimi por për arsye krejt tjera.

Regjisori mitrovicas bëhet pjesë e bisedave pasive ku ai dëgjon me kërshëri bisedat e tavolinës ku Musa Robelli shfaqte vizionin e tij për trendin në rritje të Hollivudit dhe me raste interpretonte e imitonte aksentët e ndryshme nga filmat Western, vështrime të cilat i kishin lënë përshtypje regjisorit Fyelli. Duket se një nga arsyet pse Robellit i bëhet ftesë për angazhim në teatër të Mitrovicës ishte edhe zëri i tij skenik që pushtonte skenën plotësisht që për kohën ishte shumë i nevojshëm sidomos kur ky zë vinte nga një person me formim intelektualo-artistik të lartë. Me modestinë që kishte, Robellit edhe pse i flinte zemra e shpirti në teatër shprehej që do të duhej të ishte dikush tjetër më i mirë se ai që të zër vend në teatrin e Mitrovicës por regjisori Fyelli kishte vërejtur talentin dhe vlerat universale përfshirë edhe modestinë që Robelli kishte dhe pikërisht për arsyet e mësipërme insistonte se ai ishte personi i duhur për skenën.

Angazhimi në Teatrin e Mitrovicës, zgjimi i shpirtit krijues

Studenti gjilanas, pranimin e rolit në shfaqjen “Hakmarrja” të Jusuf Kelmendit, në Teatrin e qytetit të Mitrovicës, e quan injeksionin e parë që tek ai zgjoi shpirtin krijues dhe dashurinë për të i shërbyer skenës. Arsyeja se pse mund të thuhet se Robelli është futur në botën e teatrit përmes portës së madhe është se atij ju besua roli kyç i kësaj shfaqje e cila në kohën që u shfaq kishte listuar rekord shikueshmëri duke u shfaqur me dhjetëra herë në teatrin e qytetit dhe në shumë fshatra të rajonit të Mitrovicës dhe komunave për rreth.

Për kohën kjo shfaqje dhe të tjerat që realizohen më vonë ishin produkt i studentëve që vinin nga viset e ndryshme të Kosovës, përjetoheshin si shfaqje që përcillnin mesazhe shpresëdhënëse sepse në thelb trajtoheshin si shfaqje që mëtonin te përcillnin mesazh ndër-tekstual. Aktori Robelli që në rolin e parë e ndjente këtë përgjegjësi që publiku gërmonte ta lexonte në rolin e tij ndaj dhe edhe e përjetonte thellësisht këtë përgjegjësi të skenës. Në rolin e Ademit, te “Hakmarrja”, Musa Robelli shprehet se, përjetoi ndjesinë më të fuqishme në botë që i dhuroi publiku: “Kur kam dal në skenë dhe gjatë shfaqjes kam pa në publik njerëz që qanin nga emocionet, aty kam vendosur që kurrë nuk do të i ndahem skenës”.

Janë këto fund vitet e ’70 ta në të cilin interval kohor Musa Robelli në çdo vit akademik, përveç studimeve në shkollën e larte teknike ishte pjesë e pandashme e shfaqjeve që ishin në repertor të teatrit te Mitrovicës me grupin artistik të studenteve duke u angazhuar në projektet artistike të kohës. Ai kishte rol të rëndësishëm në shfaqjen “Kështjella dhe helmi” tekst dramaturgjik i Ismail Kadaresë por me shkas, Musa Robelli ndalet në shfaqjen “Hamalli” qe u realizua nga regjisori Sejdi Zeka. Kjo është një shfaqje nga e cila aktori Robelli pohon se mësoi shumë.

Në radhë të parë ishte interesante se si ishte ndërtuar koncepti regjisorial i shfaqjes nga regjisori Zeka i cili ishte një nga fotografët më të zotë në Jugosllavinë e asaj kohe dhe se dyti trajtimi shterues i temës së migrimit ku shumë element ngelen universalisht të paprekshëm edhe sot e asaj dite pikërisht ashtu siç i ka trajtuar regjisori Zeka në kontekstin shqiptar.

Teatrit te Gjilanit i bashkohet një profesionist i rrallë

Musa Robelli, përfundon studimet në Mitrovicë dhe vendos të kthehet në vendlindje dhe  dera e parë që troket ishte Teatri i qytetit, në të cilën shtëpi gjen jo një apo dy kolegë që mund të i shkonte muhabeti por një familje të madhe miqsh që ndanin objektivat dhe misionin e njëjtë. Kthimi i tij në Gjilan ishte vlerë e shtuar dhe pasuri e tejçmuar për ngritjen e nivelit profesional që teatri synonte të arrinte sepse ne atë kohë tashme kishin zbarkuar regjisori Muharrem Shahiqi, Fetah Mehmeti, Nuhi Matoshi, Jahi Jahiu, Ruzhdi Mehmeti, Xhevahire Murtezi, Muharrem Sylejmani, Sabedin Shahiqi, Xhevahire Murtezi, Nexhmedin Ymeri, Mejreme Berisha e shumë të tjerë.

Robelli flet me admirimin dhe konsideratën më të lartë për gjithë këta kolegë të cilët funksionin si ekip të cilët e pranuan ngrohtë dhe me shumë dashamirësi ardhjen e tij në Gjilan sepse e dinin qe ky grup po rritej cilësisht në numër të madh. Teatri i qytetit ishte votra që i mblidhte të gjithë, aktorë, regjisorë, amator te rinj e të vjetër ku asnjeri nuk përtonte të bënte punën që i kërkohej.

Kuptohet me tagër prej aktori, me përvojë përmbajtjesore në skenë angazhohet Musa Robelli në shfaqjen “Dasmë pa nuse” e cila vihej në skenë nga regjisori Muharrem Shahiqi në vitin 1978. Fillimi i punës së tij, përkonte të ishte një komedi e lehtë, zhanër në të cilin ai nuk ishte sprovuar por falë frymës bashkëpunuese deri në skajshmëri, jo vetëm me regjisorin, por me gjithë kastën e aktorëve, u bë tejet lehtë dhe korri suksesin e merituar.  

Lidhur me atë se si punohej në teatër dhe si funksiononte ky institucion në atë kohë aktori Robelli shprehet: “Për mua kënaqësia më e madhe imja ishte kur ju bashkova trupës së teatrit sepse kishte diçka magjike në te, aty te gjithë me njëri tjetrin ishin të afërt miqësor e bashkëpunues, ndjenje që nuk përshkruhet dhe vështirë të gjendet në ndonjë ambient tjetër. Te gjithë kishin dëshirën dhe pasionin për të i shërbyer sa më mirë dhe sa më shumë skenës pa nënçmuar dhe mbiçmuar askënd dhe e gjithë kjo bëhej falë dashnisë që kishin këta njerëz për artin e kulturën”. 

Teatri, kështjellë e ngritjes se vetëdijes njerëzore dhe kombëtare

Emocionohet dhe mbushet fryme thellë aktori Robelli, sa herë i kërkohet për ta shtjelluar botëkuptimin dhe dimensionin qe prek teatri tek njerëzit, përmes punës qe realizohet aty. Ai e krahason punën qe behet ne këtë tempull diturie e nxënie me ujët e burimit qe rrjedh dhe ushqen gjithçka, gjate rrugës qe përshkruan, ushqen çdo gjallese që ka nevojë për të lagur buzët për freskim e ngopje deri te toka qe e mban. Për më shumë, ai shton se ushqimi i vetëm i nevojave shpirtërore dhe kombëtare është teatri në të cilin publiku vjen për të konsumuar këto nevoja, te cilat kurrë nuk shterojnë.

17 vite punë aktive në skenë me përkushtim e pasion është një punë kolosale ku ka mbizotëruar dëshira kolektive për të ngritur emrin e institucionit në piedestalin më të lartë ishte je vetëm objektiv i Musait, por i te gjithë dashamirësve art bërës që gravitonin në këtë qendër.  “Kemi qenë një grup i madh i njerëzve të artit që e kemi dashtë me shpirt skenën, kemi luajt me prezantua Gjilanin si epiqendër të artit e kulturës për te cilën ëndërr mendoj që ja kemi arrit qëllimit, kemi qenë në gjendje me mbajtë prova edhe natën veç me ardhë deri të suksesi” shton aktori Robelli.

Teatri Gjilanit flamurtar i realizimeve brilante

Musa Robelli ishte pjesëtar apo më mirë ta quajmë hisenik në çdo shfaqje që teatri i Gjilanit realizoi nga 1978 kur ai mori rol në “Dasmë pa nuse” deri në vitin 1992 kur iu deshtë të largohej nga Gjilani për shkak të përndjekjes që i bëhej. Gjatë këtij harku kohor, edhe u realizuan projektet më të rëndësishme të kohës të cilat në njëfarë forme dëshmuan se ky Teatër konkurronte me cilësi edhe Teatrin Krahinor të Prishtinës. Ky konstatim nuk është për të thurur lëvdata, por çmimet, mirënjohjet dhe vlerësimet në kompeticionet Republikane dhe Federative të kohës vërtetojnë se Teatri i Gjilanit ishte dukshëm nga institucionet më të denja që përfaqësonin vlerat artistike në mënyrën me meritore të mundshme.

Ai ndjehet shumë krenar dhe i privilegjuar që shërbeu gjatë kësaj kohe dhe u vu në shërbim të shkrirjes së potencialit të tij kreativ për ta ngritur Teatrin e qytetit në këto nivele që po flasim. Role nga më të ndryshmet, kryesisht me peshë të rëndë ju besuan këtij aktori, besim i dhënë që e realizoi në mënyrë mjeshtërore. Kur jemi te mjeshtëria në skenë Musa Robelli ka arritur të realizojë një lloj mrekullie që edhe aktorë të përmasave kombëtare me përvojë shumë më të gjatë në skenë nuk kanë arritur të bëjnë një gjë të ngjashme.

Një nga ish kritikët e artit të qytetit tregon se aktori Robelli duhet të trajtohet në historiografinë kosovare si artisti që ka arritur të fitojë zemrën e publikut dhe të kritikës me daljen e tij në skenë prej 1.5 minuta si shurdhmemec duke u bërë personazhi me i pëlqyer dhe i adhuruar. Këtë arritje mjeshtërore, me modesti e konfirmon edhe vetë aktori i cili pohon se shfaqja “Agonia” e Mirosllav Kerlezhës është vlerësuar për rolin episodik në shumë kompeticione të kohës. Por ky rol aq i vogël në minutazh kishte prekur edhe radarët e kritikeve në festivalin Krahinor të Teatrove në Ferizaj dhe këtë e vërteton gazetarja serbe e gazetës Jedinstvo a cila citon në artikullin e saj : Me rolin e lypësit aktori Musa Robelli dëshmon se në skenë nuk ka rol të madh apo të vogël por ka aktor të madh dhe të vogël. Normalisht, që një vlerësim i tillë publik i jep protagonistit ndjenjën e mirënjohjes por më shumë ai është ndier i privilegjuar kur në përfundim të shfaqjes është ngjitur në skenë regjisori i mirënjohur Kosovar Agim Sopi dhe ka vlerësuar me nota superlative këtë rol të vogël që e ka bërë diferencën në shfaqje.

E thënë më thjesht, vlerësimet e artikuluara nga publiku dhe kritika për aktorin Robelli ishin diçka madhështore dhe ai edhe sot e asaj dite i mban si margaritarë në memorien e tij, vlerësime qe shume aktore kalibri do te donin te kishin këtë cilësim sepse vetëm një mendje mjeshtërore mund te shkrij gjithë potencialin kreativ për tu dalluar me shkëlqim në skenë.

Të shumta janë rolet e realizuara gjatë shërbesës 17 vjeçare sepse në çdo shfaqje nëse gërmohet në arkiva të teatrit i gjen shenjat e gishtërinjve të tij me rolet të cilat i ka realizuar me përkushtim e pasion të papërshkruar. Ai nuk dëshiron të shpjerë bashkëbisedimin në cilësimin se cili rol ka qenë me i dashuri apo me i pëlqyeri nga ai sepse i qëndron besnik postulatit të thënë se në skenë nuk ka role të vogla e te mëdha por shprehet shumë falënderues ndaj bashkëpunimit me vëllezërit Fetah e Ruzhdi Mehmeti. Bashkëpunimi me regjisorin Fetah Mehmeti ishte më shumë një proces mësimi i vazhdueshëm sepse gjithmonë në çdo faze të zhvillimit artistik do të mësoje diçka më shumë nga Fetahu. Regjisori Fetah Mehmeti ishte shkollë në vete e artit dramatik respektivisht një regjisor me guxim të pashoq, intelektual me fuqi të injektimit të forcës së ndryshimit tek publiku, arsye që e bënë atë të i qëndroje afër dhe të jetë gjatë gjithë kohës në nxënie.

Ishte shtytja dhe motivimi nga Fetahu që Musa Robelli të sfidohej edhe në zanatin e regjisurës dhe të ndërmerrte hapa të guximshëm në këtë drejtim. Për rrjedhoje ai në vitin  1983/1984 mbledh rreth vetes një grup punëtorësh në ndërmarrjen ku punonte- Fabrika e baterive në Gjilan dhe ve në skenë shfaqjen “Hamalli” të autorit Osman R. Gashit, shfaqje e cila nuk mbarti me vete vetëm suksesin lokal.

Regjisura e Robellit u vlerësua me nota superlative në kompeticionin republikan artistik në Gornji Milanovac, ku garonin trupat teatrale të punëtoreve, format qe ishte krijuar për të identifikuar dellin artistik nga radhët e punëtorëve në Jugosllavi. Ne kuadrin e suksesit të kësaj shfaqje duhet të nënvizohet fakti që roli kryesor i kësaj shfaqje stoliset si, roli më i mirë i festivalit, të cilin e realizoi Skender Qerimi nga Gjilani.

Ai rikujton me nostalgji, që kishte fatin te mësonte nga regjisorë të mëdhenj ndaj dhe realizimi i kësaj shfaqje me punëtorët e fabrikës se baterive sa ishte sfidues po aq ishte edhe i lehte edhe pse kishe të bëje me aktorë që nuk kishin shkelur në skenë më parë. Regjisura të jep ndjesi më të forta se të aktorit sepse je në krye të punës dhe përgjegjës për secilin aktorë për të mbajtur dhe realizuar linjën e shfaqjes. Ne këtë shfaqje jam bindur që zgjedhja e roleve është realizimi i gjysmës së punës, ndaj dhe vendimi për të ia besuar rolin Skender Qerimit dhe ndarja e roleve të tjera ishte garancia e suksesit të shfaqjes.

Princi i hijeve, shfaqja që vulosi diferencën në konkurrencën e teatrove

Musa Robelli e quan për privilegj dhe e ruan me krenarinë më të fortë mundësinë e dhënë të ishte pjesë e këtij projekti dhe rolin e tij të realizuar në Princin e Hijeve- shfaqje e cila triumfoi bindshëm duke fituar pothuajse të gjitha çmimet në kompeticionin federativ të teatrove në ish Jugosllavi. Roli i tij ishte me peshë specifike të madhe në skenë dhe këtë përgjegjësi e ndjente thellë në shpirt. Ky rol nuk ishte aspak i lehtë sepse luante krye-luftëtarin që përfaqësonte unitetin e principatave shqiptare  i cili ishte në krah të princit gjatë gjithë kohës dhe për realizimin kërkohej përqendrim i lartë ku fjala në skene ishte alfa dhe omega. Gjithë seriozitetin, këmbëngulësinë, lojalitetin dhe përkushtimin duhej transmetuar kryesisht përmes postuarës dhe ngjyrimit të zërit, lojë që kërkonte të përcaktohej me shume saktësi vija ndarëse e nuancave të fjalës.  Ne këtë lloj shfaqje, pohon aktori Robelli se edhe publiku e kupton qartësisht qe fjala është mbret në skenë.

Është për tu ve në pah, një kuriozitet se sa serioz dhe i përkushtuar ne këtë rol ka qenë Musa Robelli sepse ditën kur jepej shfaqja në festivalin e teatrove në Trebinje atij i ikën zëri pothuajse plotësisht. Edhe në kohën që po flasim, ai dëfton se ishte shumë e pashpjegueshme dhe dukej sikur me telekomande i ishte ulur volumi i zërit në maksimum dhe ai nuk mund të dëgjohej pothuajse fare. Kjo ishte një gjendje ankthi si për aktorin dhe për regjisorin Ruzhdi Mehmeti sepse të humbje dhe të dështoje me një nga rolet kruciale të shfaqjes ishte dështim i krejt trupës dhe i shfaqjes.

Vetëm lutja e sinqertë te zoti në këto situata, thotë Robelli më ka nxjerrë faqebardhë sepse 15 minuta para fillimit të shfaqjes zëri i rikthehet në normalitet dhe e gjithë trupa futet në skenë sikur ushtria futet në betejë për të fituar luftën, dhe ashtu ndodhi. Teatri i Gjilanit stoliset me titullin shfaqja më e mirë e festivalit, roli kryesor – Muharrem Sylejmani merr maskën e artë, juria e vlerëson shfaqjen më të realizuar, kostumografia më e mirë, muzika më e mirë e festivalit që nënkupton marrjen e të gjitha çmimeve.

Në vështrimin analitik që i bën kësaj shfaqje Musa Robelli, mendon se kjo është një shfaqje që është e papërsëritshme dhe e krahason me kryeveprat që nuk vdesin kurrë dhe nuk mund të replikohen më. Princi i Hijeve i Gjilanit në njëfarë mënyre është ekuivalent me Gladiatorin e Rusell Crowe sepse edhe nëse jepen fonde të pakufizueshme është e pamundur të kapet zeniti siç është realizuar kjo shfaqje dhe mënyrën se si është përcjelle mesazhi, kjo vërteton që kryeveprat krijohen njëherë dhe jetojnë përjetësisht.

Teatri i Gjilanit ishte i pandalshëm në rrethana normale të një konkurrence të mirëfilltë artistike por siç e dimë të gjitha turbulencat politike të kohës fillojnë dhe e prekin në radhë të parë këtë institucion i cili atakohet në format më brutale, sepse armiku e dinte që foleja e lëvizjes rezistente ishte në këtë kështjellë dhe me çdo kusht duhej shkatërruar qelizat kryesore që kishin emrin Teatër. Në këtë vorbull përpjekjesh ekzistencialiste kur pushteti serb egërsohej çdo ditë e më shumë, kundrejt këtyre rrethanave, Musa Robelli vendosi të mos ndaloj dhe të jetë edhe më aktiv duke u bërë anëtar i celulave te para ne riorganizimin e jetës kulturore respektivisht pjesëtar i shoqatës së pavarur kulturore. Organizimi i eventeve kulturore si recitale, orë letrare, drama të shkurtra dhe aktivitete të ndryshme kulturore ad-hoc me qëllim të fuqizimit të ndjenjës së atdhetarisë e kombit ishin nga detyrat kryesore që ushtronte në këtë kohe. Për gjithë këtë aktivitet, që më vonë merr emërimin “Flaka e Janarit” Robelli ndjehet shumë i privilegjuar qe kishte mundësinë te ishte një nga argatët e parë te kësaj nisme, ku gjithçka ne atë kohë zhvillohej nën tytën e automatikëve të policisë serbe. Në rrethanat e vitit 1992 kur të gjithë aktorët e teatrit dëbohen nga godina e tyre largimi i tij nga Gjilani ishte i pashmangshëm dhe rruge e vetme të cilën ai detyrohet ta ndjek kuptohet pa dëshirën e tij, ishte largimi, vendim të cilin ai e quan si më të vështirën në jetën e tij.

Jeta ne mërgatë, rrugëtim artistik i ri…  

Robelli jeton me familje në Suedi i rrethuar me nipër e mbesa gjithmonë me mendje dhe me fytyrë të kthyer nga Kosova. Ai është një nga pjesëtarët e komunitetit shqiptarë aktiv në aktivitete të ndryshme kulturore që mbahen ne mërgatë, por për me shumë ai është gjithmonë ne kërkim te shtimit të aktiviteteve të mirëfillta artistiko-skenike.

Këtë lloj qasje ai e dëshmoi dy vite pas arritjes në Suedi, ku me një grup artdashësish në qytetin ku jeton krijon bashkëpunimin e parë të tij me grupin e artit dramatik duke marr rol në një nga shfaqjet që ishte në repertor. Ishte një ndjenjë e fuqishme që ishte përtej përjetimit të etheve të skenës kur arriti të dilte në skenë me grupin teatral suedez, dhe kjo ndjenjë ishte e shumëfishtë për shkak se mbi supe barte gjithë përvojën artistike të akumuluar nga vendlindja e që sipas tij duhej të përcjelltë elokuencën dhe shpirtin krijues shqiptar.

Sipas tij, shqiptarët që kontribuojnë në artin e kulturës së vendeve evropianë ku jetojnë janë ambasadorë që përfaqësojnë vendin e tyre të origjinës dhe ne këtë prizëm kërkohet që obligimet që merren duhet të përmbushën me më shumë përgjegjësi, përkushtim, dashuri e pasion.  Robelli, kujton momentin e parë në Suedi kur u ngjit në skenë në vitin 1994 duke e përshkruar si moment  përzierje emocionesh të forta:  “Tekstin që kisha në dorë, duhej ta lexoja para regjisorit dhe trupës së shfaqjes të cilët prisnin me kureshtje interpretimin tim por në ato momente kur po kërkoja inspirimin për të deklamuar, shkronjat u treten dhe para sysh me dolën momentet e skenës në Gjilan e Mitrovicë dhe e vetmja ndjesi që më mbeti ishte shfryrja në të qarë. Aty qava me ngashërim…

Qava, jo se mu kërkua por ishte e pabesueshme që edhe sot nuk mund ta shpjegoj pse ndodhi, por mbase për faktin se përjetimet e forta nga përvoja në teatër mund të kenë prekur edhe ndervetëdijen time që perdja e skenës kishte rënë me largimin nga Kosova dhe unë isha i përshëndetur me skenën. Dalja ime në skenë në Suedi me ktheu besimin që këtë fitore të re si dhe pamundësinë e vazhdimit në teatrin e Gjilanit e festova me lot, me pak fjale ishte një vegim i mrekullueshëm. Mu desh kohë ta merrja  veten nga kjo goditje dhe vetëm të nesërmen arrita të kthehem ne prova duke i kërkuar ndjesë trupës së shfaqjes për emocionet e shfaqura, të cilët pa mëdyshje ishin suportues e mirëkuptues.

Musa Robelli vazhdoi të ishte aktiv me grupin e teatrit në qytetit e tij në realizimin e disa projekteve artistike por gjithashtu ishte aktiv edhe me grumbullimin e të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë në realizimin e shfaqjeve teatrale që kishin në thelb njohjen e publikut suedez me kulturën dhe artin shqiptar. Ai vazhdoi me realizimin skenik të shfaqjeve teatrale që në thelb kishin njohjen e opinionit publik me atë se çfarë represioni, dhune e gjenocidi ka ushtruar dhe ushtron Serbia ndaj Kosovës.

Sot, Robelli është pikë reference dhe krye organizator i shënimit të ngjarjeve të rëndësishme që kërkojnë angazhimin e një regjisori profesional në realizimin e eventeve të mirëfillta artistike. Me plot gojën mund të themi që Musa Robelli është një nga ambasadorët e artit dhe kulturës shqipe si një aset që vazhdon të rrezatojë kulturë të lartë civile dhe përfaqëson vlerat shqiptare dinjitetshëm në ambientin ku jeton.

Krijimtaria e tij artistike e realizuar në Teatër është një trashëgimi që padyshim meriton mirënjohje dhe falënderim. Puna e tij kolosale në tempullin e kulturës është një shërbesë që Robelli e quan detyrim ndaj vendit por më shumë një privilegj që bashkë me artdashësit e tjerë në Gjilan arritën të ngrenë në nivelet më profesionale të mundshme.

Ai vazhdon të jetë ndjekës i zhvillimeve kulturore në Kosovë, kuptohet nga distanca dhe tani që është në pension është në rishikim të agjendës dhe mundësisë që të kalojë më shumë kohë në Kosovë se në Suedi me qëllimin që të vazhdojë të shijoje jetën kulturore nga afër edhe pse tash në cilësi tjetër. /2LONLINE/