(2LONLINE) – Kreu i Komunës s Gjilanit Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe edhe te busti i Agim Ramadanit, në shkollën që e mban emrin e tij në Zhegër, për të vazhduar më pas me vizitë në familjen e tij.
Me këtë rast, bashkëshortja e Agimit, Shukrie Ramadani, është shprehur se e ka pasur të vështirë në ditën e sotme, por ia bëri më të lehtë nipi i saj, Agimi i vogël. Ajo tha se falë gjakut të dëshmorëve sot Kosova është e lirë.
“Është ndjenjë e veçantë sot. Nuk është vetëm dita e sotme që përkujtohet Agimi. Për mua përkujtohet në çdo moment, 365 ditë të vitit. Sot e kam pasur sa të vështirë, nga ngjarjet që kanë rrjedhë, aq më të lehtë ngaqë isha me nipin tim Agimin e vogël, i cili ma shëron çdo dhembje, i cili më jep gëzim çdo mëngjes”, tha Ramadani.
Sipas saj, t’i pritësh shokët e Agimit me sfidat që po përballen nuk është e lehtë.
“Nuk është e lehtë të shkosh në Koshare dhe të mos gjesh as eshtrat. Por mbetemi me shpresë se një ditë do të bëhet më mirë. Faleminderit gjakut të tyre, dashurisë së tyre ndaj atdheut, nuk ishte vetëm Agimi im, por ishin edhe shumë Agima të tjerë, vajza e djemtë më të mirë që na erdhën nga të gjitha anët, me vetëm një qëllim: të fitonim lirinë për shqiptarët. Dhe atë qëllim e lanë me gjakun e tyre, me shpirtin e tyre të pastër dhe sot të politizohet e gjithë ajo luftë, për mua është tmerri më i madh”, tha Ramadani. /2lonline/