DYLON

Thomas Schulte-Borghoff, drejtor i ri i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s

Thomas Schulte-Borghoff, drejtor i ri i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s
Avatar photo Redaksia

Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, sot u zhvillua ceremonia e pranim – dorëzimit të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Gjeneral brigade dr. Sven Lange, i cili e ka ushtruar këtë detyrë që nga marsi i vitit të kaluar, ia dorëzoi përgjegjësitë pasardhësit të tij, gjeneral brigade Thomas Schulte – Borghoff.

EkoHigjiena

Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministrat e mbrojtjes, Gegë Lleshi dhe Enis Kervan, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, Drejtoresha për Operacione në selinë e NATO-s, Charlotte Hallengren si dhe ushtarakë dhe përfaqësues institucionalë nga Ministria e Mbrojtjes, FSK-ja dhe NALT-i. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues dhe të ftuar të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Me këtë rast, gjeneral brigade Sven Lange theksoi: “Këshillëdhënia kërkon dije dhe përvojë. Gurthemeli i saj është besimi i ndërsjellë. Dhe këshillëdhënia mund të jetë e suksesshme vetëm nëse ka vullnet të mirë për ta pranuar atë. Prandaj jam posaçërisht i lumtur me praninë e kaq shumë përfaqësuesve të organizatave të sigurisë në Kosovë, të cilët kanë ardhur këtu sot.”

Drejtori i ri i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff i lavdëroi të arriturat e paraardhësit të tij dhe theksoi që shpreson të vazhdojë të njëjtën rrugë: “Unë mezi pres të vazhdoj rrugën të cilin ju e keni ndjekur. Ju keni vënë një gurthemel të fortë, dhe për mua është privilegj të punoj me një ekip kaq të mrekullueshëm”, theksoi ai.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kontributi i gjeneralit Dr. Lange ka qenë në frymë bashkëpunimi, duke qenë një partner i rëndësishëm në forcimin institucional dhe në avancimin e transformimit të sektorit të mbrojtjes në Kosovë. Ministri e përmbylli fjalën e tij duke theksuar se mandati i tij në Kosovë lë pas një trashëgimi besimi, profesionalizmi dhe partneriteti strategjik. Ai shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e gjeneral dr. Lange, të cilin e dekoroi me Medaljen për Shërbim të Shquar.

Gjatë ceremonisë, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e nderoi gjeneralin dr. Sven Lange me Medaljen për Shërbim Vetëmohues, ndërsa drejtoresha për Operacione në selinë e NATO-s, Charlotte Hallengren e nderoi gjeneral dr. Sven Lange me Medaljen e NATO-s për operacione jashtë, nenit 5.

Që nga gushti i vitit 2016, NALT-i, sipas misionit të tij, ofron vazhdimisht mbështetje për të ndërtuar kapacitete mbrojtëse dhe për të zhvilluar profesionalisht organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës – brenda mandatit fillestar për mbrojtje civile. /2LONLINE/