“Thirrjet e Nënave” braktisin “Vetëvendosjen” për protestën

Shoqata “Thirrjet e Nënave” është tërhequr nga organizimi i protestës gjithëpopullore të cilën deri me tani e kanë bashkëorganizuar me Lëvizjen Vetëvendosje. Përfaqësueset e kësaj shoqate gjithashtu kanë vendosur që të mos jenë pjesë e protestës e cila do të mbahet të martën në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për “Zërin” Nysrete Kumnova, kryetare e kësaj organizate. Ajo nuk ka pranuar të flasë shumë për këtë çështje, me arsyetimin se ka problem shëndetësore, por shkurtimisht ka thënë përmes telefonit se nuk do të jenë pjesë e protestes. “Unë personalisht jam sëmurë duke marrë infuzion dhe nuk do të jem të marten në Prishtinë. Por gjithashtu besoj që askush prej familjarëve nuk do të jetë atje. Në shoqatë kemi vendosur që të mos jemi pjesë e asnjë proteste”, ka thënë shkurtimisht ajo.

Kumnova nuk ka dhënë arsye shtesë se pse kanë vendosur ta braktisin protestën, por megjithatë ka shtuar se shoqata do të vazhdojë të qëndrojë prapa qëndrimeve të veta. “Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë shkarkimin e Jabllanoviqit, por tash e tutje këtë do ta bëjmë të pavarur si shoqatë me metodat tona”, ka përfunduar ajo.

KOMENTE