DYLON

Thierry Favre: Mbështetja e UEFA-s për projektet e FFK-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen

Thierry Favre: Mbështetja e UEFA-s për projektet e FFK-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen
Avatar photo Redaksia

Zëvendëspresidenti i Asociacioneve në UEFA dhe njëherësh kryesuesi i programit “HatTrick”, Thierry Favre pasi mbrëmë e ndoqi nga afër ndeshjen e fundit të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë, sot ka vizituar selinë e FFK-së, ku ka mbajtur takim me presidentin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, njofton FFK.

Me këtë rast është diskutuar edhe për projektet e FFK-së të përfituara nga programi “HatTrick” siç është zhvillimi i talenteve të reja “Elite Youth Developement Programme U15”, programi “Grassroots”, pastaj edukimi i trajnerëve si dhe programet e ndryshme për fëmijët, komunitetet dhe personat me nevoja të veçanta.

Rreth këtyre projekteve z. Favre u njoftua nga përgjegjësit Michael Ness, Edmond Rugova dhe Sanije Krasniqi.

EkoHigjiena

Më pas zyrtari i lartë i UEFA-s vizitoi zyrat e reja të FFK-së, si dhe Kampin Edukativ në Hajvali.

Favre u shpreh tejet i kënaqur me punën e bërë nga FFK-ja dhe me realizimin e të gjitha projekteve të parapara, derisa shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Ademi dhe sekretarit të përgjithshëm Salihu për menaxhimin e mirë të punëve në kohë pandemie, transmeton FFK.

Ai po ashtu theksoi se mbështetja e UEFA-s për projektet e FFK-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Jam i kënaqur me punën në FFK. Me ndërkombëtarizimin e futbollit çdo gjë filloi shumë mirë dhe shumë shpejt. Jam i lumtur që jeni duke i bërë zyrat e reja. Me sa e di një ndër projektet e para strategjike të identifikuara ka qenë Qendra e re Stërvitjeve të Kombëtareve, në të cilën mendoj se duhet të bëjmë përpjekjet maksimale. Pjesa më e madhe e projektit të UEFA-s është implementuar dhe ne jemi të kënaqur dhe mezi presim të kthehemi prapë këtu” ka thënë Favre.

Gjithashtu ai shtoi se e kupton edhe zhgënjimin me ndeshjen e ‘play-off’-it në Shkup.

“Mendoj që me fillimin e marsit të ardhshëm (kualifikimet e Botërorit, v.j) stabiliteti i futbollit do të kthehet dhe gjithashtu duhet të mbani entuziazmin tuaj që keni për ekipin kombëtar. Sa i përket FFK-së nuk shohim ndonjë rrezik që ndonjë nga projektet e UEFA-s të mos mund të financohet. Kjo është edhe njëra prej përgjegjësive të mia kryesore në kuadër të UEFA-s”, ka deklaruar Favre, njofton FFK.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.