Themelohet task forca “Ta pastrojmë Gjilanin”

Themelohet task forca “Ta pastrojmë Gjilanin”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka themeluar sot task forcën “Ta pastrojmë Gjilanin”, në kuadër të aksionit të qeverisë së Kosovës “Ta pastrojmë Kosovën”, që parasheh organizimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për pastrimin e ambientit dhe mirëmbajtjen e tij.

Kordinator i task forcës “Ta pastrojmë Gjilanin” është kryetari Lutfi Haziri, i cili ka bërë thirrje për mobilizim masiv të qytetarëve, ndërsa anëtarë të saj janë udhëheqësit kryesor të resorëve të ndryshëm që nga drejtoritë komunale, ndërmarrjet publike, organizimet e grave dhe rinisë etj.

“Nga 15 shtatori deri më 15 tetor do të jetë aksion i përditshëm pastrimi i Komunës së Gjilanit nëpër të gjitha lagjet, fshatrat, lumenjtë, shkollat dhe gjithë hapësirës në përgjithësi. Naser Korça, nga Shërbimet Publike, Ramiz Ramadani nga Drejtoria e Bujqësisë, Nazim Gagica nga Drejtoria e Arsimi, Senad Rama nga Ekohigjiena, Avdyl Jerliu nga ndërmarrja Tregu, Muhamet Suliqi nga Hidromorava, Genc Mustafa nga sektori i Rinisë, Lindita Salihu përfaqësuese e grave, Muhamet Pajaziti nga zyra e informimit, do të jenë anëtarët që do të vëhen në lëvizje për të mobilizuar sa më shumë qytetarë në aktivitetin për pastrim”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai, gjithashtu, ka potencuar se në këtë aktivitet përfshihen edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, shoqata të ndryshme që bashkërisht deri në fund të kësaj jave do ta bëjnë incizimin e gjendjes në terren dhe planin operativ për ndërhyrje në kuadër të muajit të pastërtisë.

“Gjithë hapësira e Komunës duhet të pastrohet dhe të mirëmbahet. Do të mbjellen mbi një mijë drunjë dekorativ dhe do të mirëmbahen ata ekzistues. Fshat e qytet duhet të mobilizohen për këtë aktivitet jetik për një shëndet më të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Më tej kryetari Haziri ka apeluar edhe tek të gjithë operatorët ekonomik që t’i përgjigjen këtij aksioni me makineri të ndryshme që të shënohet sukses i përbashkët, sikur që ka ftuar edhe nxënësit e shkollave, studentët e organizatat e shoqërisë civile, që të japin kontribut në këtë drejtim.

Vlen të theksohet se gjatë muajit të pastrimit, Deponia Regjionale e Mbeturinave do të pranoj mbeturinat pa pagesë.

KOMENTE