(2LONLINE) – Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan (DKA) mbetet e vendosur për të parandaluar abuzimet me substanca narkotike në hapësirat shkollore, duke e bërë këtë përmes programeve që kanë për qëllim vetëdijesimin e të rinjve për pasojat që mund të shkaktojë në jetën e tyre përdorimi i drogave dhe dukuritë tjera negative.
Në këtë funksion, të hënën, Drejtoria Komunale e Arsimit ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Policinë e Kosovës, Qendrën e Shëndetit Mendor, Qendrën për Punë Sociale, Këshillin e Prindërve si dhe Këshillin e Nxënësve, për themelimin e Grupit kundër abuzimit me substanca narkotike në shkolla.
Shqipe Kastrati-Haziri, psikologe në Drejtorinë e Arsimit, ka thënë se DKA ka hartuar një plan dinamik të punës për periudhën kohore 2014-2018, ku janë paraparë edhe detyrat konkrete që do të realizohen kudër abuzimit me narkotikë dhe dukuri tjera negative në ambientet shkollore.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se ata janë të vendosur për të krijuar një ambient të duhur për mësim cilësor në shkollat tona. Duke e marrë parasysh moshën që kanë fëmijët e shkollave, programet e tilla janë të domosdoshme për t`i vetëdijesuar ata për rrezikun që vjen nga përdorimi i substancave narkotike, ka thënë Musa.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e cila i ka dhënë mbështetje themelimit të Grupit Kundër Abuzimit me Substanca Narkotike në Shkolla, ka thënë se ne jemi të përkushtuar që t`i edukojmë sa më mirë brezat e rinj, të cilët nesër do të jenë kuadro të vlefshme për vendin e tyre.
Përkrahje këtij grupi i ka dhënë edhe policia. Elmina Mahmuti, komandante regjionale e PK-së në Gjilan, ka thënë se rinia është pjesa më e atakuar nga substancat narkotike. Të rinjve duhet t`iu bëhet me dije se nuk guxojnë të eksperimentojnë me narkotikë në asnjë mënyrë, sepse rreziku është i madh, ka thënë Mahmuti.
Ndërkaq, Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor, tha se policia është në fazën e zbatimit të një plani operativ, që ka për qëllimin krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për nxënës, duke premtuar bashkëpunim të plotë edhe në programin e DKA-së.
Mursel Zymberi nga Qendra për Punë Sociale, ka thënë se puna ekipore sjellë rezultate më të mira dhe ka kërkuar nga qytetarët që t`i paraqesin rastet e abuzimit me narkotikë, sepse institucionet kanë madhësi më të mëdha për trajtimin e tyre.
Kurse mjeku Afrim Cana tha se me këtë problematikë duhet të merremi seriozisht dhe kërkoi që programi të jetë sa më i përshtatshëm me karakteristikat e këtij regjioni.
Përkrahje këtij programi i kanë dhënë edhe përfaqësuesi i Këshillit të Prindërve, Ali Arifi si dhe ai i Këshillit të Nxënësve, Drilon Milazimi. Përveç programit për parandalim, është i nevojshëm edhe një program për trajtimin e rasteve të identifikuara, ka thënë Arifi. /2lonline/