Themelimi dhe funksionimi i asamblesë së fëmijëve normohet me rregullore komunale

Themelimi dhe funksionimi i asamblesë së fëmijëve normohet me rregullore komunale

Në organizim të Njësisë për të Drejtat e Njeriut, të premten në Gjilan, është mbajtur një dëgjim publik për draft-rregulloren mbi themelimin dhe strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve.

Zija Ramadani, koordinator i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se rregullorja përcakton mënyrën e themelimit dhe funksionimit të asamblesë së fëmijëve, ku përfshihen edhe procedurat mbi përfaqësimin, kompetencat, organizimin, të drejtat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të asamblesë komunale si dhe çështje të tjera.

Asambleja ka për qëllim të sigurojë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, punës humanitare dhe aktiviteteve të tjera me interes për ta, bashkëpunimin me Këshillat drejtues të shkollave, prindërve, nxënësve dhe komunitetin lokal, ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijës, inkurajimin e tolerancës, solidaritetit dhe demokratizimit, promovimin e vlerave shoqërore dhe të tjera.

Ramadani ka thënë se në rregullorja është unike për gjithë Kosovës, por ka edhe specifika sipas komunave përkatëse.

Ai ka kërkuar prej pjesëmarrësve që vërejtjet dhe sugjerimet e tyre t`i dërgojnë ndërkohë edhe me shkrim, meqë rregullorja do të kalojë edhe nëpër procedura të tjera, deri në miratimin e saj nga Kuvendi Komunal.

Ndërkaq, Hanumshahe Rexhepi, zyrtare për të Drejtat e Fëmijëve, njëherësh koordinatore e Asamblesë së Fëmijëve, ka thënë se draft-rregullorja është përgatitur nga ekspertë të fushës përkatëse, duke shtuar se asambleja e fëmijëve në Gjilan, është ndër më aktivet dhe më të mirat në Kosovë.

Mendime dhe vërejtje për draft-rregulloren kanë shprehur Erza Cakolli dhe Abdullah Pireva.

Asambleja e fëmijëve përbëhet nga përfaqësues të shkollave fillore të komunës së Gjilanit dhe për herë të parë është themeluar në vitin 2014.

KOMENTE