Thellohet partneriteti strategjik mes Kosovës dhe Kanadasë

Thellohet partneriteti strategjik mes Kosovës dhe Kanadasë

Zv. Kryeministri i Kosovës/Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, priti në një takim pune ambasadorin e Kanadasë në Republikën e Kroacisë, i ngarkuar me punë edhe për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk.

Vizita e ambasadorit u realizua me qëllim të koordinimit të hapave dhe shkëmbimit të informatave lidhur me projektet investive të cilat Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është duke i promovuar, në veçanti kur bëhet fjala për minierat, turizmin dhe energjinë.

“Jemi të kënaqur që në Kanada, gjatë Panairit më të madh të minierave në botë (PDAC), do të mund të ofrojmë miniera të Kosovës ku kompanitë e mëdha kanadeze mund të investojnë. Tashmë kemi promovuar pakon favorizuese për investitorët strategjik, dhe kjo jemi të bindur që do të tregohet atraktive për këto kompani të vijnë dhe të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë”, tha zv. Kryeministri Gashi.

Në anën tjetër, ambasadori Maksymiuk informoi zv. Kryeministrin për angazhimin e deritashëm të kompanive kanadeze në Kosovë, duke shprehur edhe dëshirën që numri i tyre të rritet edhe më tej.

“Deri tani kemi 3 kompani kanadeze të cilat kanë investuar në këtë sektor në Kosovë. Prezenca juaj në PDAC është një sinjal inkurajues, ndërsa do të nënshkruajmë edhe aktin e përbashkët për mbrojtjen e investitorëve strategjik, gjë që do ju jep atyre kompanive garanci shtesë për investimet e tyre. Me këtë jam shumë i lumtur të shoh kompanitë kanadeze që janë partnerë strategjik në Kosovë”, tha ambasadori Maksymiuk.

Ndryshe gjatë muajit mars, Kosova dhe Kanadaja do të nënshkruajnë edhe traktatin e investimeve që do të hap rrugën drejt bashkëpunimit akoma më të madh mes dy shteteve.

KOMENTE