Theksohet nevoja e vazhdimit të programit të infermierëve për vizita shtëpiake për nënat dhe fëmijët

Theksohet nevoja e vazhdimit të programit të infermierëve për vizita shtëpiake për nënat dhe fëmijët

Organizuar nga Komuna e Gjilanit, respektivisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, UNICEF dhe Ministria e Shëndetësisë, sot në Gjilan është mbajtur takimi i përbashkët me pjesëmarrje të infermierëve nga 14 komuna të Kosovës.

Temë e këtij takimi ishte nevoja e domosdoshme e vazhdimit të këtij programi, rritja e shërbimeve dhe njëkoësisht është bërë edhe shkëmbim i përvojave mes infermierëve nga komuna të ndryshme pjesëmarrëse.

Në fjalën e tij ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka ofruar mbështetjen e ministrisë që ai drejton por edhe të qeverisë së Kosovës, për të mbajtur në funksionalitet me kapacitete të plota këtë shërbim që është me një vlerë të jashtzakonshme për shëndetin e nënave shtatëzëna dhe foshnjave.

“Ministria e Shëndetësisë në politikën e saj ka një përkushtim shumë të madh për shëndetin dhe përkujdesjen për nënat dhe fëmijët. Ky program që është duke u zbatuar nga infermierët në komuna të ndryshme është i domosdoshëm për një shëndet të kontrolluar të nënave dhe fëmijëve. Shërbimi i vizitave shtëpiake ka një rëndësi të madhe dhe për këtë së bashku edhe me UNICEF-in, por edhe me kryetarët e Komunave do ta zhvillojmë edhe më tutje, sepse interesi i përbashkët është shëndeti për nënat dhe foshnjat”, ka thënë ndër të tjerash, Ismaili.

Kurse, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, ka ofruar bashkëpunimin e plotë të institucioneve lokale për avancimin e këtij shërbimi, sepse siç ka potencuar ajo, vullneti politik është në kuadër të mbështetjes së shëndetësisë primare, dhe gjithashtu edhe përkushtimi i infermierisë në Gjilan është maksimal.

“Kryetari Haziri me një përkushtim të veçantë është i angazhuar që ky shërbim të jetë në nivelin më të lartë, sepse përmes tij ndihmohen direkt nënat shtatzëna dhe fëmijët e porsalindur. Shërbimi i vizitave shtëpiake është një zgjidhje adekuate, ngase përpos mbështetjes shëndetësore, është bërë edhe edukimi i nënave lidhur me veprimet më të mira që duhet të ndërmarrin për fëmijët e tyre. Për këtë institucionet lokale me mundësitë buxhetore që kanë dhe në bashkëpunim edhe me institucionet tjera dhe donatorët, do të punojnë për një shëndet dhe përkujdesje më të mirë për pacientët”, ka thënë ajo në fjalën e saj.

E nga ana e tij përfaqësuesi i UNICEF-it, Agron Gashi, ka thënë se është një krenari e madhe kur takohemi me pacientët të cilët kanë qenë të vizituar nga ekipi i infermierëve.

“Ditë më parë kishim një vizitë rutinë në disa familje në komunën e Gjilanit. Është një krenari që kur jemi takuar me pacientet ata kanë një siguri, një besim të madh dhe një shpresë te ekipi i infermiereve”, ka thënë Gashi, duke potencuar se bashkëpunimi dhe mbështetja do të jetë e vazhdueshme.

Kurse, drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, ka potencuar vendosmërinë për angazhimin e këtij program, falë edhe mbështetjes së madhe nga ana e kryetarit Haziri.

“Ka qenë zotim i kryetarit Haziri që të implemetohet ky program i rëndësishëm për kujdesin ndaj nënës dhe foshnjeve. Prandaj, nga niveli i shëndetësisë primare ne kemi krijuar ekipin e infermierëve dhe mjekëve që merren me këtë shërbim. Është e nevojshme mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ky shërbim mund edhe të zgjerohet sipas nevojës”, ka potencuar ai.

KOMENTE