(2L ONLINE)- Skuadra “The Living Room” është fituese e edicionit të parë të Kupës “Agim Ramadani”. Ekuipazhi i udhëhequr nga Ardian Aliu ka arritur me mjaft sukses të fitojë edhe betejën e fundit përballë kundërshtarit “MobiCasa”, për ta ngritur kështu trofeun e aq shumë kërkuar. Takimi u karakterizua me lojë të fortë dhe luftë në çdo pjesë të fushës e cila argëtoi të pranishmit të cilët në asnjë moment nuk kanë rreshtur së puashuri duke mbështetur skuadrat e tyre të preferuara.
Nën një organizim të shkëlqyer nga organizatorët e Ligës “Agim Ramadani” është zhvilluar edhe finalja e Kupës në edicionin e parë të saj. Staffi i kësaj lige kishte bërë gjithçka gati për të pritur dhe për të nderuar të pranishmi ashtu siç i ka hije, sepse për spektaklin në fushëu përkujdesën dy skuadrat finaliste. Një numër i madh shikuesish kishin ardhur për ta ndjekur nga afër këtë super përballje, ndërkohë nuk ka munguar as mysafirët special të Ligës, boksieri i njohur shqiptar, Erzen Rrustemi si dhe nga familja e heroit Kombëtar “Agim Ramadani”, Jashar Ramadani.Deri sa skuadrat kanë defiluar brenda fushës së lojës, në fillimin e saj u intonua edhe himni i Republikës së Kosovës. Në hapje të programit iu dha fjala, Jashar Ramadanit në emër të familjes së “Agim Ramadanit”.
“Me plot mburrje dhe krenari them se kjo Ligë është e organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke iu falenderuar kështu gjithë staffit të kësaj lige, e në veçanti kryetarit të saj Nysret Hazirit. Por, subjekt i vetë kësaj lige janë skuadrat e ndryshme të cilat kanë garuar, duke nisur nga FSK dhe Policia që janë organe shtetërore e deri te skuadra që përfaqësojnë bizense të ndryshme keni përmbushur një obligim kombëtar që e kemi jo vetëm si Gjilan por edhe në nivel të Kosovës”, përfundoi Ramadani.
Surpriza e MobiCasas dhe kthimi i Living Roomit
Paraqitja në finale për dy skuadrat ishte një sukses i jashtëzakonshëm, për faktin se qysh në edicionin e parë ndodheshin pranë trofeut të parë të Ligës “Agim Ramadani”. Në kërkim të lavdisë dy skuadrat nisin ndeshjen duke studiuar njëra tjetrën, por do të jenë futbollistët e MobiCasas ata që do godasin të parët. Pas një aksioni të shpejtë të zhvilluar (6′), topi mbërrin deri tek këmbëshpejti Labinot Maliqi i cili i vetëm me portierin Bajram Ramadani ia del të dërgojë topin drejt rrjetës për të quar në trans mbështetësit e skuadrës “MobiCasa”. Pas golit të realizuar, futbollistët e veshura me të kuqe morrën një tjetër shytje për të sulmuar edhe më shumë. Në vazhdim vargojnë disa raste të mira shënimi, që i shpërdorojnë shumë lehtë, madje në disa raste mbeten pa goditje duke qenë të vetmuar me portierin Ramadani. Kur nuk shënon e pëson. Rregulli i pashkruar i futbollit iu shkrua MobiCasas nga Xhelal Mjaku (12′), duke rikthyer baraspeshën e fillimit të ndeshjes. Goli i pësuar sikurse hutoi futbollistët që ishin në cilësinë e mysafirit. Një tjetër aksion të kombinuar mirë, në gol e shndërron Mjaku (14′), duke kaluar kështu për herë të parë në epërsi skuadrën The Living Room. Deri në fundin e pjesës së parë skuadrat krijuan disa gjysmëraste, mirëpo jo diçka konkrete për të rrezikuar më seriozisht portat rrespektive.
Zgjimi i vonshëm i MobiCasas, Living Room ishte konfirmuar si kampion
Me të filluar fraksioni i dytë i lojës, Living Room gjen golin. Është sërish ai, Xhelal Mjaku me golin e tij të tretë në ndeshje (20′). Pas një solo depërtimi gjuan mjaft preçiz në këndin e poshtëm të gardianit Rexhepaj dhe përplas topin për rrjetë. Futbollistëve të MobiCasas sikurse iu prenë këmbët pas këtij goli pasi nuk gjetën forcën në vazhdim të rrezikonin më seriozisht portën e Ramadanit. Atë e kërcënuan me goditjet nga distanca, mirëpo pa sukses. Atë që nuk e bënin dot futbollistët e MobiCasas, e bëjnë ata të Living Roomit edhe njëherë. Një aksion bukur të ndërtuar në gol e konverton Ersin Ramadani (34′), për të sjellur qetësinë në kampin e Living Roomit. Duke mos patur se çfarë të humbasin futbollistët e MobiCasas hidhen me gjithë forcat në sulm, dhe në fakt vargojnë disa raste të mira shënimi, por që nuk arrijnë të konkretizojnë më shumë se një. Tashm ishte bërë vonë dhe goli i kapitenit Lavdrim Lipovica (40′) në fundin e ndeshjes ishte vetëm sa për statistika. Kështu, The Living Room me mjaft sukses fiton luftën për titullin e Kupës “Agim Ramadani” pas gjithë atyre betejave të zhvilluar, ndërkohë MobiCasa duhet të mbetur e kënaqur me suksesin e arritur sikur finalist.Para fillimit të ndarjes së shpërblimeve për skuadrat finaliste, organizatorët kishin paraparë nga një mirënjohje në shenjë rrespekti për kontributin dhe angazhim në Ligën “Agim Ramadani”. Me ç’rast u nderuan, boksieri i njohur shqiptar Erzen Rrustemi dhe nga familja e heroit Kombëtar “Agim Ramadani”, Jashar Ramadani.Më pas Rrustemi i shoqëruar nga Komisari i Garave, Malazog Hoxha kanë ndarë shpërblimet për vendin e dytë, skuadrën e MobiCasas. Ndërkohë, medaljet dhe trofeun e Kupës e kanë ndarë Jashar Ramadani i shoqëruar nga Agim Aliu, njëri nga sponzorët kryesor të Ligës “Agim Ramadani”.
THE LIVING ROOM – MOBICASA 4:2 (2:1)
Palestra e Sporteve: “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan
Shikues: 200
Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu & Eroll Jonuzi
Delegat: Gani Dermaku
Vëzhgues: Malazog Hoxha
Golashënues: Xh.Mjaku 12’ 14’ 20’, Er.Ramadani 34’ (Liv.Room) – L.Maliqi 6’, L.Lipovica 40’ (MobiCasa)
Kartona të verdhë: Er.Ramadani (Liv.Room) – M.Didaku, A.Zahiri, L.Kqiku (MobiCasa).
The Living Room: B.Ramadani, D.Maloku, E.Abazi, M.Qerimi, J.Rukovci, Sh.Rukovci (C), V.Krasniqi, Xh.Mjaku, Ed. Ramadani.
Trajner: Ardian Aliu
MobiCasa: E.Rexhepaj, A.Bajraliu, L.Lipovica (C), A.Zahiri, L.Maliqi, M.Didaku, A.Daku, V.Ibrahimi, L.Kqiku.
Trajner: Armend Hyseni
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/