The Balkanista: Vizitojeni Shqipërinë, xhevahirin e Ballkanit

The Balkanista: Vizitojeni Shqipërinë, xhevahirin e Ballkanit

Pavarësisht nëse jeni mjaftueshëm me fat që të jetoni në Shqipëri ose po planifikoni të vizitoni këtë xhevahir të Ballkanit, këto janë plazhet që duhet të siguroheni të vizitoni gjatë verës 2019, shkruan portali “The Balkanista” në një artikull që i kushtohet plazheve më të bukura në Shqipëri.

“Me 12 javë verë që po afrojnë, kam përzgjedhur një plazh për çdo javë, kështu që mund të bëni një udhëtim të madh në vend, ndërkohë që çlodheni dhe merrni ngjyrë nën rrezet e diellit”, lexohet në hyrje të artikullit të publikuar nga ky portal, i cili i kushtohet udhëtimeve në zonën e Ballkanit.

Më poshtë vijon lista me plazhet që “The Balkanista” i sugjeron lexuesve të saj për të vizituar:

Drimadha

Një prej plazheve më të bukur në vend, Drimadha nuk ka turma turistësh, i qetë, me gurë dhe e rrethuar nga male të larta dhe Llogoraja në pjesën e pasme. Ky është një vend ku malet takojnë detin dhe ku mund të çlodheni duke dëgjuar muzikë reggae me një koktejl në dorë, ndërkohë që shihni parashutistët që hidhen nga Llogoraja. Në “Drymadhes Resort” ka një restorant fantastik, ku mund të shijoni disa prej gatimeve më të mira të detit që mund të gjeni në Rivierën Shqiptare.

Shëngjini

Vetëm pak minuta larg Lezhës me makinë dhe jo shumë larg nga Shkodra, plazhi i Shëngjinit ndodhet pranë qytetit me të njëjtin emër, si dhe dy lagunave. Një destinacion turistik në rritje, aty pranë gjeni hotele dhe restorante ku mund të çlodheni pas një dite të gjatë dhe të lodhshme në plazh. Uji këtu është fantastik dhe shumë i sigurt për të notuar, si dhe keni në dispozicion tre kilometra plazh ku mund të zgjidhni se ku të qëndroni, madje edhe në kulm të sezonit mund të gjeni një vend ku të ngulni çadrën.

Kepi i Rodonit

Jo shumë larg Tiranës me makinë, Kepi i Rodonit është një plazh shumë popullor si për banorët, edhe për turistët. Kepi shtrihet brenda detit dhe ndodhet përgjatë bregdetit Adriatik, duke ofruar një pamje mahnitëse si dhe monumente historike dhe kulturore interesante gjatë rrugës. Kishat dhe kështjellat, të shoqëruara nga rëra e bardhë dhe ujërat e kaltra, krijojnë vendin perfekt për të kaluar ditën, një javë, ose gjithë verën.

Gjiri i Gjipesë

Jo shumë larg nga Jali, plazhi i Gjipesë është i arritshëm nga uji, ose duke ecur për rreth 30 minuta në këmbë nëpërmjet një shtegu. I izoluar, mahnitës dhe me emocione origjinale, ky është plazhi perfekt për të ngritur çadrën dhe shijuar një fundjavë të gjatë nga vera shqiptare. Plazhi është kryesisht me guralecë dhe rrethohet nga shumë shpella të vogla si dhe formacione interesante shkëmbore që janë fantastike për zhytje. Këtu ndiheni sikur jeni të izoluar nga bota dhe deri tani është një nga plazhet me sekrete të Europës.

Jali

Një prej plazheve më të bukura në vend, Jali njihet gjithashtu për festat e çmendura të plazhit dhe si një vend argëtimi për rinjtë e pasur të vendit. Shezllonet këtu mund të arrijnë disa qindra euro (përfshirë shampanjën) dhe disa prej bareve të tij konsiderohen si më të shtrenjtët në vend. Megjithatë edhe për ne të vdekshmit e zakonshëm ky është një vend fantastik për sportet ujore si, kajak, kanotazh, lundrim ose zhytje, si dhe ka një numër të madh plazhesh sekrete të arritshme vetëm nga deti.

Borshi

Plazhi më i gjatë në vend, shtatë kilometra parajsë e pandërprerë, Borshi është një prej vijave bregdetare më dinamike dhe të bukura në vend. Megjithatë pranë plazhit ka pak bare dhe restorante, por duke pasur parasysh vendndodhjen dhe pamjen fantastike që ka, kjo situatë padyshim që do të ndryshojë. Eja dhe kalo këtu ditët e verës në këtë plazh të jashtëzakonshëm.

Livadhi

Rreth tre kilometra në veri të Himarës, ky plazh i gjatë, i bardhë dhe me guralecë është një prej zonave më sekrete në Rivierën shqiptare. Ngjitur me atë është edhe plazhi i Potamit që është gjithashtu shumë piktoresk me ujëra tërheqëse, të qeta dhe të kristalta.

Saranda

Në jug të Shqipërisë, Saranda është një destinacion popullor turistik. Vetëm pak kilometra nga Korfuzi, ajo shërben si një pikë perfekte nga ku mund të eksplorosh zona si Butrinti. Këtu mund të gjeni një gamë të madhe restorantesh dhe dyqanesh, si dhe të shijoni një ecje të gjatë dhe relaksuese përgjatë shëtitores.

Ksamili

Kur mbërrin në Ksamil, mund të mendoni se keni përfunduar në ndonjë cep të Karaibeve. Rërë e bardhë, ishuj lehtësisht të aksesueshëm si dhe ujërat e kaltër më mahnitës që keni parë ndonjëherë. Ksamili mbushet krejtësisht me njerëz gjatë pushimeve verore, pra koha më e mirë për ta vizituar janë muajt maj, qershor dhe shtator.

Dhërmiu

Një prej plazheve më të famshme në vend, në Dhërmi mund të shijoni disa kilometra me rërë të bardhë, të rrethuar me ujëra të kristaltë në njërën anë, dhe bare e restorante në anën tjetër. Ndërkohë që plazhi popullohet shumë gjatë muajve të verës, ai është mjaftueshëm i madh që t’i presë të gjithë, ndërsa mund të shëtisni nëpër gjiret pranë për të gjetur më shumë qetësi. Aty gjeni hotele për të gjitha buxhetet, si dhe mund të shijoni shumë aktivitete, përfshirë shëtitjet me motorë uji dhe kurse për zhytje që të kaloni një kohë sa më të bukur.

Porto Palermo

Plazhi i Porto Palermos mund të jetë i vogël, por aty ndodhet kështjella e Ali Pashait, e ndërtuar në shekullin XIX, që rrethohet nga male të larta. Ky plazh i vogël të bën të ndihesh sikur po noton në një lagunë dhe e gjithë zona është gati e paprekur, ku ndodhet vetëm një restorant i vogël. Gjatë regjimit komunist kjo zonë ishte e mbyllur për civilët, por sot kjo është një nga zonat që duhet të vizitohet në Rivierën shqiptare.

Buneci

Një vend i mbetur sekret, Buneci është i qetë dhe i izoluar me plazhe me guralecë që ndahen nga një lumë i vogël që rrjedh nga malet. Ky konsiderohet një vend fantastik për të parë perëndimin e diellit. Nëse po kërkoni një vend të qetë ky është vendi i duhur.

KOMENTE