Thaqi: Momenti që t’i bashkojmë forcat dhe të bëjmë më të mirën për ti fituar ndeshjet
Futbollisti i Gjilanit, Armend Thaqi është paraqitur në konferencën për shtyp para duelit kampional ndaj Suharekës, derisa ka bërë thirrje për bashkëlojtarët e tij që ti bashkojnë forcat duke filluar nga kjo ndeshje.
Kapiteni i skuadrës kërkoi nga bashkëlojtarët e tij që të jenë më të përqendruar dhe të mos gabojnë në ndeshjet e radhës, të cilat janë finale për këtë kampionat.
“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi që nuk kemi marrë më të mirën nga ndeshja e fundit. Mirëpo, ne jemi skuadër që krijojmë shumë dhe normalisht kur krijon vjen edhe te rezultatet. Gjendemi në një pozitë në të cilën besojmë fuqishëm që mund të dalim nga këtu. Është momenti ti bashkojmë forcat dhe gjithë së bashku të bëjmë më të mirën që ta fitojmë ndeshjen”, tha Thaqi.
Ai shto ise kanë krijuar shumë mundësi shënimi, mirëpo ka munguar përqendrimi në disa mundësi për të shënuar.
“Duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të mos gabojmë shumë. Të gjithë që jemi në fushë kemi përgjegjësi dhe duhet të jemi të vetëdishëm për rëndësinë e ndeshjeve”, tha ai.
Rëndësia e pikëve në përballje me Suharekën e bën të vetën, mirëpo Thaqi thotë se skuadra duhet ta ruaj qetësinë.
“Ndeshja ndaj Suharekës është e rëndësishme. Synojmë ta dalim ballëlartë nga kjo ndeshje për të rikthyer qetësinë brenda kampit sa i përket grumbullimit të pikëve”tha kapiteni i skuadrës kuq e bardh.
Thaqi ka folur edhe për aspektin individual, derisa ka potencuar se rëndësi më të madhe kanë pikët e skuadrës.
“Jam i kënaqur me atë se çfarë kam ofruar dhe kritikat pozitive që kam marrë, por jo edhe shumë, pasi që ekipi nuk ka fituar dhe unë dëshiroj që ekipi të jetë në rend të parë. Do mundohem që këtë frymë pozitive e cila po më përcjell të përqoj te grupi, pasi që rëndësia e ndeshjeve tani është me e madhe se asnjëherë tjetër”, tha Armend Thaqi, futbollisti i SC Gjilanit.
Përballja ndërmjet Gjilanit dhe Suharekës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/
