Kuvendi i Republikës së Kosovës ka filluar seancën parlamentare në të cilën pritet votimi në pako i zgjatjes së mandatit të EULEX-it dhe ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Kryeministri Hashim Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë themelimin e kësaj gjykate. Ai tha se refuzimi i themelimit të saj do të tregonte se po fshehim pretendimet e raportit të Dik Martit dhe do të ketë pasoja tjera për proceset e mëtejme të vendit, transmetn RTK.
Me shmangie të rregullores së Kuvendit dhe pa debat parlamentar Kuvendi po debaton për themelimin të Gjykatës Speciale, që do të hetonte për krimet e pretenduara ndaj UÇK-së. Gjatë prezantimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi, tha se kërkesa e Bashkësisë ndërkombëtare për të themeluar një gjykatë të tillë është padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj.
Kryeministri Thaçi tha se kritikat se gjoja kjo gjykatë po themelohet si pasojë e dështimeve të qeverisë për të kryer punën e saj nuk janë gjë tjetër vetëm se fjalë të atyre që po mundohen të mbledhin një grusht vota. Ai po ashtu tha se Kuvendit po i mungon kuraja për të marrë vendim për themelimin e FAK-ut.
Themelimi i një gjykate u konsiderua si padrejtësi për popullin e Kosovës edhe nga opozita. Megjithatë, shumica nga ta u shprehë pro themelimit të saj. Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se pavarësisht situatës kritike kuvendi duhet të votojë pro themelimit të gjykatës.
Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje potencoi se që nga viti 1999 Serbisë është dashur që institucionet tona të përgatiten qindra mijëra padi për krimet që ajo ka bërë në Kosovë.
Edhe Ardian Gjini nga AAK-ja ka potencuar se sistemi i drejtësisë ka dështuar meqë ka ministra që janë të akuzuar për afera korruptive dhe asnjë prokurore vendor nuk ka ngritur aktakuzë ndaj askujt.
Në këtë seancë, lëvizja Vetëvendosje propozoi një rezolutë ku kërkohet që së pari të themelohet nga një gjykatë për krimet e bëra nga Serbia në Kosovë. Ndërsa, Arim Bajrami nga PDK-ja propozoi që krahas votimit të përfshihet edhe propozimi që në këtë seancë të propozoi ligjin për krijimin e një fondi të veçantë shtetërorë që do të ofrohej mbrojtja e të gjithë qytetarëve që do të përfshihen në gjykatën speciale.