Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Mensën e Studentëve në Prishtinë, ku drekoi bashkë me studentët, duke evokuar edhe kujtime nga jeta studentore. Ai u prit nga shumë studentë, por jo të gjithë kish dalë për ta nderuar. Disa studentë, për të cilët u tha se i takojnë Organizatës së Studentëve, “Studim, Kritikë, Veprim”, iu drejtuan kreut të Qeverisë me shprehjet ‘hajn’e ‘mashtrues’.
Pas largimit të studentëve protestues, kryeministri Thaçi shprehu zotimin për realizimin e vendimit për uljen e pagesës për semestër, për mensë dhe konvikt.
“Dua të shpreh zotimin tim për vendimin që kemi marrë për zbritjen e pagesave për të gjithë studentët e universiteteve publike, 50 për qind për semestra, për konvikte dhe mensë. Gjithashtu kjo i përfshinë edhe studentët bachelor, master dhe kandidatët për doktoratë”, tha Thaçi, transmeton RTK.
Thaçi siguroi se të gjithë brucoshët e ardhshëm do t’i fillojnë studimet falas, ndërsa bëri edhe premtime të tjera.
”Çdo familje që ka më tepër se një student në universitet do të paguaj vetëm për një student. Biseduam edhe me drejtorin për ndërtimin edhe të konvikteve të reja. Gjithashtu do ta rrisim edhe numrin e bursistëve nga 1 mijë në 1 mijë e 500”, tha kreu i Qeverisë.