Takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është një ngjarje historike, e cila është pritur padrejtësisht të ndodh për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizionin euroatlantik. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.
”Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, qytetin e historisë dhe të së ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës. Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë. Mesazhin e rajonit me kufij të hapur, pa barriera të së kaluarës”, tha ai.