Ministri i punëve të jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë disa paralajmërime se mund të arrestohet në Serbi. Kjo vetem nëse vendos që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së një organizate joqeveritare për pjesëmarrje në një konferencë rajonale në Beograd më 24 prill.
Këtë e ka konfirmuar vetë Vladimir Vukçeviq, Prokuror për Krime të Luftës në Serbi. Sipas tij, “urdhër-arresti për Hashim Thaçin është në fuqi në Serbi”, kështu që nëse Thaçi vendos të shkojë në Beograd, mund të arrestohet.
Por, koordinatorja e projektit RECOM (Koalicioni për Komisionin rajonal për vërtetimin e fakteve për viktimat e luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë), Natasha Kandiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pozicioni i Hashim Thaçit i tejkalon autorizimet e cilitdo organ në Serbi, pasi që për fatin e tij mund të vendosin vetëm organet evropiane.
“Të gjithë e dimë që ai, Thaçi është bashkëbisedues në dialog dhe përfaqëson Kosovën dhe mendoj se deklaratat e prokurorit për krimet e luftës në Serbi nuk janë të mirëseardhura”, është shprehur Kandiq.
Sipas saj, në Kosovë është duke u themeluar Gjykata Speciale për krimet e luftës dhe në bazë të hetimeve të prokurorit amerikan Clint Williamson do të dihet më pas se cilët janë ata persona që mund të arrestohen dhe dërgohen në gjykatë.
“Se kush do të jetë i akuzuar, kjo i tejkalon autorizimet e organeve të Serbisë. Kjo kompetencë do të jetë në përgjegjësinë e kësaj gjykate evropiane”, ka deklaruar Kandiq.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi është ftuar në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian me moton: Së bashku mund të bëjmë edhe më mirë”, të cilën e organizon “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.