Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh edhe ministër i jashtëm i Kosovës, gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive në Tiranë, ka thënë se shtetet tona vitin e kaluar në Prizren kanë hedhur bazat e një partneriteti strategjik, i cili është ndërtuar mbi bazat e historisë sonë të përbashkët dhe vizionit e aspiratave të njëjta që kemi për të ardhmen.
“Partneriteti strategjik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mbështetet në disa qëllime, vlera, parime që janë pjesë thelbësore të dy shteteve tona. Ne ndajmë qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ne kultivojmë vlera dhe parime evropiane e demokratike. Ne ndjekim të njëjtin vizion për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.
Bashkëpunimi i ngushtë i vendosur në mes të dy ministrive të jashtme, sipas Thaçit, ka ofruar një mundësi më të gjerë për të adresuar çështjet me interes të ndërsjellë në nivel bilateral, rajonal dhe ndërkombëtar. “Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ajo Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Njëra prej pikave të këtij partneriteti strategjik ka qenë që Kosova të ndihmohet në anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme”, ka thënë Thaçi.
Sot në Tiranë, ka shtuar ai, mund të konfirmoj që ne jemi bërë anëtarë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme politike në Evropën Juglindore, falë mbështetjes së Shqipërisë, por edhe të shteteve të tjera të rajonit. “Një mbështetje e tillë e Shqipërisë ka ndodhur edhe me rastin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të tjera të rëndësishme sikurse Komisioni i Venedikut, Frankofonia, në Iniciativën Rajonale për Migracion, Azil dhe Refugjatë, si dhe së fundi edhe në organizatën e rëndësishme rajonale të sigurisë – RACVIAC”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.
Bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë, në mbështetje edhe të bashkëkombësve në Luginë dhe Mal të Zi
Kosova synon të hapë një kapitull të ri me NATO-në këtë vit, duke zgjeruar bashkëpunimin politik e ushtarak dhe Shqipëria, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, do të luajë një rol kyç së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në këtë proces.
Sipas tij, Kosova ka për synim që të përfshihetnë Partneritetin për Paqe, i cili është një instrument kyç për të hapur perspektivë të qartë për anëtarësimin në NATO. “Lobimi nga kryeministri Rama në Rumani ka kontribuar për hapjen e një kapitulli të ri bilateral në mes të Kosovës dhe Rumanisë, i cili unë besoj se do të finalizohet me njohjen nga Rumania në të ardhmen. Ne do të koordinojmë së bashku përpjekjet tona për të bindur vendet evropiane dhe ato jashtë Evropës që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi.
Kosova dhe Shqipëria kanë arritur të aplikojnë marrëveshjen për bashkëpunimin në shërbimin konsullor, duke përuruar konsullatën e përbashkët Kosovë-Shqipëri në Milano të Italisë. “Së shpejti kjo marrëveshje do të materializohet edhe me konsullatën e përbashkët në Mynih të Gjermanisë dhe të Kanberrëssë Australisë. Ne do të shikojmë edhe për mundësitë e tjera të cilat do të forconin përfaqësimin tonë të përbashkët konsullor dhe diplomatik, duke u lidhur ngushtënë mënyrë të veçantë për diasporën tonë në Evropë dhe Amerikën e Veriut”, shtoi ai.
Ky bashkëpunim i ngushtë, sipas Thaçit, do të shtrihet edhe në mbështetje më të madhe të bashkëkombasve shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. “Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, nismat ndërfetare të ndërmarra nga Kosova dhe për më tepër harmonia ndërfetare që ekziston prej shekujsh në traditën tonë ka vendosur vendet tona në një pozitë të veçantë në Evropë dhe botë. “Na takon që të hartojmë dhe implementojmë projekte të përbashkëta të cilat do të promovojnë harmoninë ndërfetare dhe dialogun ndërfetar si mjeti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe fundamentalizmin fetar”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.