Kryeministri i Kosovës ka hequr dorë nga arritja e marrëveshjes me partitë politike për vendet e rezervuara për minoritete. Kështu ka njoftuar ai përmes profilit të tij në “Facebook” duke bërë thirrje tani që më së largu deri në muajin shkurt të kryhet reforma për çëshje praktike të zgjedhjeve.
“Pas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, ftoj spektrin politik të Kosovës që t’i bëjmë reformat e nevojshme zgjedhore që garantojnë proces fer, transparent, demokratik dhe respektim të vullnetit të qytetarëve, si dhe të plotësojmë pritjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në këtë drejtim, tani na mbetet t’i bëjmë reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, për të cilat pres të arrijmë konsensus politik, por edhe aprovimin në Kuvendin e Kosovës, si:
– Përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale,
– Përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore,
– Përcaktimi i pragut zgjedhor,
– Përcaktimi i të drejtës për votim me kusht dhe çështje tjera të rëndësisë së përbashkët të të gjithë spektrit politik.
Ftoj spektrin politik që këto ndryshime t’i bëjmë në afatin e parë të mundshëm, në pjesë e parë të muajit shkurt.
Po ashtu, PDK-ja shpreh gatishmërinë për pjesëmarrje në debate si dhe vullnet për arritjen e konsensusit politik”, shkruan Thaçi në “Facebook”.