Në një intervistë për të përditshmen turke, Yeni Şafak, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se bizneset turke janë prezente në Kosovë dhe se ambasada e Turqisë është shumë aktive në promovimin e lidhjeve biznesore në mes dy shteteve. Ai ka ftuar edhe investitorë të rinj që të investojnë në telekomunikim, miniera, energjetikë dhe në sektorë të tjerë.
“Ne kemi pasur një koncesionim të suksesshëm të aeroportit ndërkombëtar në Prishtinë, që mban emrin e heroit “Adem Jashari” dhe një tjetër në sektorin e energjisë. Kosova ka ndërtuar edhe autostradë moderne nga një konzorcium amerikano-turk dhe i mirëpresim edhe investitorët e rinj”, ka thënë Thaçi për Yeni Şafak, transmeton Indeksonline.
Kosova është njohur si e pavarur nga të gjithë fqinjët e saj, pos Serbisë, ka vërejtur Thaçi për këtë të përditshme turke dhe ka shtuar se Turqia e ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha.
“Ne jemi mirënjohës për këtë mbështetje të madhe në lobimin për njohjen e Kosovës, në shkëmbimet akademike dhe në investimet e deritashme. Kemi bashkëpunuar edhe në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit fetar, kurse sherbimet tona të sigurisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë. Edhe kryeministri Davutoğlu është një mik i vjetër i Kosovës dhe ne do ta forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin që kemi dhe shpresojmë se Turqia do të përdorë edhe më tej ndikimin e vet në shumë shtete të botës, që Kosova të njihet edhe prej shteteve që ende nuk është njohur”, ka theksuar Thaçi.
Për këtë të përditshme, Thaçi ka folur edhe për lojën e përbashkët të futbollit. “Kosova sapo është lejuar të luaj futboll ndërkombëtar dhe njëra prej miqësoreve të para që kemi luajtur në Prishtinë ka qenë me Turqinë. Ne humbëm, por dhjetëra mijëra të rinj ishin aty të shohin miqësisht dy skuadrat tona. Edhe lidhja jonë sportive daton qysh herët. Një ekip i juaji Galatasaray është themeluar nga një shqiptar, nga djali i intelektualit Sami Frashëri që ju e njihni si Semseddin Sami.
Pastaj edhe selektori kombëtar i Kosovës ka luajtur në Turqi në rininë e vet. Tash Kosova është pranuar para disa javësh edhe nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe ne dëshirojmë t’i thellojmë edhe marrëdhëniet në sport”, ka thënë Thaçi. /Indeksonline/