DYLON

Thaçi :MSA-ja avancon pozitën e Kosovës në tregjet ndërkombëtare

Avatar photo Redaksia

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të shikuar për së afërmi potencialet eksportuese të prodhuesve vendorë, sot ka vizituar kompaninë “Eurolona”, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e qumështit. I shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, si dhe ai i Bujqësisë, Memli Krasniqi, presidenti Thaçi tha se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, prej fillimit të zbatimit të saj, do të përfitojnë më së shumti prodhuesit vendorë dhe qytetarët e Kosovës. “Tash janë hapur mundësi shumë të mëdha, mirëpo kjo përcillet në të njëjtën kohë edhe me sfida si rritja e konkurrencës. Por, nga ajo që pashë te “Eurolona”, shihet se konkurrenca do të tejkalohet, sepse cilësia është e standardit evropian dhe duhet vetëm të vazhdohet tutje me këtë trend, me këtë ritëm”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se MSA-ja avancon edhe pozitën e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Për hapjen e mundësive eksportuese të prodhimeve vendore ka folur edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili tha se MSA-ja i ka hapur rrugët, por tash varet edhe nga institucionet përkatëse dhe nga laboratorët e specializuar të cilët duhet të merren me sigurinë e ushqimit dhe me standardizimin e produkteve. “Rruga është e hapur dhe prodhuesit vendorë duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi, që i krijon zbatimi i MSA-së”, ka thënë ministri Çollaku.

EkoHigjiena

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se rreth 25 për qind e të gjitha fondeve tona janë investuar në tetë vitet e fundit për ta konsoliduar sektorin e qumështit. “MSA-ja është një kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm, që krijon mundësi shumë të mëdha për ndërmarrësit e Kosovës, veçanërisht për prodhuesit dhe përpunuesit. Ne besojmë se do t’i shfrytëzojmë këto mundësi, pa i lënë anash edhe sfidat të cilat do t’i tejkalojmë bashkërisht, duke ju ndihmuar prodhuesve që në mënyrë sa më të shpejt t’i arrijnë standardet e kërkuara për të qenë konkurrues në tregjet evropiane dhe për të pasur një gamë më të gjerë të produkteve në tryezat e konsumatorit evropian”, tha ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, pronari i kompanisë “Eurolona”, Milazim Berisha, tha se prodhuesit dhe institucionet, përveç punës së përditshme, tash kanë edhe përgjegjësi shtesë, që të investojnë edhe në eliminimin e pikave kritike dhe barrierave të cilat e pengojnë eksportimin e produkteve tona në tregjet e BE-së.

“Mendoj që përkrahja e institucioneve nuk do të mungojë dhe bashkërisht do të arrijmë t’i eliminojmë barrierat që i kemi. Ne veç jemi në implementim të disa projekteve të promovimit të qumështit të freskët dhe produkteve të qumështit, ku mendoj që me ketë projekt do të ndryshojë edhe qasja e konsumatorëve ndaj produkteve vendore”, tha pronari i kompanisë “Eurolona”, Milazim Berisha, i cili vizitën e presidentit Thaçi e cilësoi si inkurajim, që në të ardhmen të punohet edhe më shumë për t’i arritur synimet tona.

Produktet e prodhuara në këtë kompani vendore ishin të certifikuara me standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, HACCP dhe ISO 9001:2008.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.