DYLON

Thaçi: Historia e Kosovës, pandashëm e ngjizur me Ulqinin

Avatar photo Redaksia

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi ishin një betejë e përbashkët për liri dhe barazi dhe lindja e shteteve tona, do të shënohet në një kapitull të vetëm në historinë moderne të Evropës.

Ai ka thënë se historia e Kosovës është pandashëm e ngjizur me Ulqinin dhe ulqinakët.

EkoHigjiena

“Kur ne hapëm Universitetin e Prishtinës, u hap edhe një dritare për ulqinakët. Në konviktet tona, në menzat tona, në shoqëritë tona u përfshinë edhe ulqinakët. U krijuan lidhjet dhe shoqëritë e pandashme që e bëjnë Ulqinin po aq Kosovë, pothuajse sa edhe Peja apo Prizreni. Fëmijët tanë në shkolla fillore janë rritur me vargjet e Hajro Ulqinakut”, ka deklaruar Thaçi.

Në nëntëdhjetat e tmerrshme, kur portat e botës u mbyllën dhe kur terrori i paparë u përhap tek ne në Kosovë, sipas Thaçit, Ulqini ishte oaze e ngushëllimit.

“Dashuria më e madhe, dashuri e pakrahasueshme u dha mu në verën e 1999, 16 vite më herët. Atëherë pranuat qindra mijëra kosovarë që ikën nga gjenocidi dhe gjetën shpëtim tek ju. Ju shpëtuat shumë kosovarë dhe Kosova është e lirë sot edhe falë Ulqinit dhe Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

Por, sipas tij, edhe Mali i Zi kur filloi betejën për pavarësi, ne ishim fare pranë dhe shumë përkrahës.

“Kosovarët e Ulqinit dhe ulqinakët e Kosovës kanë votuar jo 50%, jo 70%, jo 90% por 100% për Republikën sovrane të Malit të Zi, të bazuar në historinë e lavdishme të popullit malazias dhe rolin e veçantë në këtë histori të shqiptarëve të Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

Dita e Ulqinit, ditë e veçantë për Thaçin

Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne për ditën e saj, po i shpallë qytetarë nderi edhe kryeministrin e Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi.

“Komuna e Ulqinit dallon si komunë e pasur në Ballkan për trashëgimi kulturore, monumentale, natyrore dhe ç’ është më e rëndësishmja edhe për vlera njerëzore, prandaj edhe unë sot ndjehem i privilegjuar që më keni nderuar me këtë çmim”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, kosovarët ndihen shumë afër Ulqinit, sepse e lidhin këtë trevë me kujtimet më të bukura të tyre gjatë stinës së verës.

“Përveç pushimeve verore, një tjetër urë e fortë lidhëse mes Kosovës dhe trevës suaj ka qenë edhe Universiteti i Prishtinës, në të cilin janë shkolluar me mijëra bijë dhe bija tuaja, por edhe ku kanë kontribuar dhjetëra kuadro të dala nga popullsia shqiptare e Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=26199

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.