Gjilan – (2LONLINE) – Në takimin e ri-mobilizimit me strukturat e Degës së PDK-së në Gjilan për balotazhin e 1 dhjetorit 2013, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi kërkoi angazhim maksimal, jo vetëm të kësaj strukture por të të gjithë qytetarëve të Gjilanit për ta penguar, siç tha ai, të keqen që po i kanoset Gjilanit nga njeriu që nuk bëri asgjë për Gjilanin, nga njeriu që u tall dhe i fyeu veteranët e luftës së UÇK-së, të burgosurit politik, familjet e dëshmorëve dhe çdo gjë që është vlerë e këtij qyteti.
“Ju, nuk guxoni ta lejoni këtë të keqe që qytetin tuaj e kthen prapa, atje ku ishte në vitin 2004 e 2005. Ju të nderuar aktivistë të devotshëm të Partisë Demokratike nuk guxoni të lejoni nëpërkëmbjen e qytetit tuaj të bukur të Gjilanit, të ndërtuar me mund e djersë nga PDK dhe qytetarët e Gjilanit. Gjilani duhet të ec drejt një qyteti evropian me Partinë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e saj. Nuk është në pyetje më partia e as Qemajl Mustafa, por shpëtimi i Gjilanit nga më e keqja”, ka thënë Thaçi, për të shtuar se PDK do të ketë partner me të cilët do të fitojë më 1 dhjetor 2013,
Ndërsa në fjalën e tyre mobilizuese kryetari i Degës Izmi Zeka, kandidati për kryetar Qemajl Mustafa dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, kanë falënderuar gjithë strukturën e degës, aktivistët, simpatizantët dhe elektoratin e madh për angazhimin e treguar në këtë proces zgjedhor, ndërsa i kanë ftuar për mobilizim të përgjithshëm për fitoren përfundimtare më 1 dhjetor 2013.
Mustafa, ka thënë se për balotazh kanë mbështetje nga elektorati që vjen nga gjitha subjektet politike, madje një mbështetje shumë e madhe vjen edhe nga aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“S’ka dyshim se ne do të jemi fitues të përbashkët të Gjilanit bashkë me qytetarët tanë. Kudo në hapësirën e Gjilanit po vërehet fryma fituese e Partisë Demokratike, aradhet e së cilës po shtohen në çdo çast, ka thënë ai duke spikatur mbështetjen dhe riorganizimin në shumicën e fshatrave dhe lagjeve të Gjilanit”, ka thënë Mustafa. /2lonline/