Kryeministri Hashim Thaçi, vizitën në Tokio e filloi me takimet me Grupin e Parlamentarëve japonezë, Rui Shionoja, Sadakazu Tanigaki, ministër i Drejtësisë, Takao Makino, zëvendës ministër i Punëve të Jashtme dhe Seishiro Eto, zëvendës kryetar i Parlamentit.
Në takim, kryeministri Thaçi i njoftoi zyrtarët japonezë për zhvillimet në Kosovë dhe procesin e bisedimeve në Bruksel. Kosova është duke luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes dhe të stabilitetit rajonal, ka thënë Thaçi, njofton zyra e tij. Ai kërkoi nga zyrtarët japonez që të ndikojë që Japonia të heq vizat për qytetarët e Kosovës, për diplomatët, studentët dhe afaristët. Po ashtu ai kërkoi nga zyrtarët japonezë ndihmën e Japonisë në ato shtete ku ka ndikim për të ndihmuar anëtarësimin në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, transmeton RTK.
Përfaqësuesit japonez, thanë se Japonia do të mbështet paqen dhe stabilitetin në rajon, do të fuqizojë bashkëpunimin ekonomik dhe politik, si dhe do te shikojë qasjen e Republikës së Kosovës në kreditë e buta. Kryesuesi i delegacionit mikpritës, Rui Shionoja, tha se qeveria dhe parlamenti japonez do të shikojnë mundësitë e zhvillimit të lojërave miqësore në mes të ekipeve të dy vendeve dhe shprehu besimin që edhe Kosova të ftohet në lojërat olimpike Tokio, në vitin 2020.