/2L ONLINE/ – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi erdhi të mërkurën në Gjilan por jo me “zjarrin” e një lideri të një partie politike, si dikur, por gjeti një gjuhë tjetër, më të butë atë të presidentit!
Thaçi, që aktualisht është edhe Zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Ministër i Punëve të Jashtme, para strukturave dhe mbështetësve të PDK-së në Gjilan tha se me zgjedhjen e presidentit, Republika e Kosovës do të forcohet edhe më shumë.
Ndërsa, për opozitën ka përcjellë porosinë se dialogu është mënyra e vetme për tejkalim të situatës. Ai ka thënë se PDK është mësuar me fitore të njëpasnjëshme dhe asnjëherë nuk është lodhur duke fituar, por opozita është lodhur nga humbjet dhe e ka humbur edhe arsyen, për të shtuar se opozita duhet të mësohet të fitojë zgjedhjet e jo të rrënojë gjithçka, transmeton Portali 2L ONLINE.
I pari i PDK-së ka përçuar mesazhin te opozita që dhuna nuk është zgjidhje, as pengimi i institucioneve nuk është zgjidhje e as sjelljet e tyre arrogante por se shtoi se nuk do të lejojnë përmbysjen e sistemit politik në vend. Sipas tij, çelësi i zgjidhjes së çdo problemi është dialogu pasi nëse mund të flasim me fqinjët, pse nuk mund të flasim me njëri-tjetrin këtu.
Sipas tij, demokracia ka rregulla, andaj edhe e respektojnë të drejtën për protesta, por sipas Thaçit, kauza e opozitës është e gabuar, kurse metodat që ajo i përdor janë të jashtëligjshme.
Ndërsa, momenti kur Thaçi i tregoi “dhëmbët”,duke treguar pak ashpërsi, në raport më opozitën, ishte momenti kur ai tha se po të donin, për një kauzë në “mbrojtje të republikës” ose “marshin e paqes” mund t’i nxjerrin në rrugë më tepër se një milion qytetarë por se sipas tij kjo nuk është zgjidhje, andaj ka ftuar opozitën të dialogojë.
Ai ka thënë se opozita refuzon çdo lloj dialogu, refuzon edhe këshillat që i merr nga ndërkombëtarët dhe po e dëmton imazhin e Kosovës por se PDK është kundër dhunës dhe e favorizon dialogun.
Lideri i PDK-së po ashtu ka thënë se në tërësi e respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse shtoi se edhe nga Gjilani i siguron qytetarët e Pejës e të Rugovës se nuk do t’a humbin asnjë metër territor që është i Kosovës. Ai për bashkësinë e komunave serbe dhe kufirin, tha se janë obligime shtetërore dhe shtoi se një ditë do të duhet të vihet kufiri edhe me Serbinë, andaj krejt këto punë sipas tij nuk mund të bëhen me veprime arrogante.
Përndryshe, Thaçi gjilanasve u tha se u është mirënjohës oër gjithçka që kanë bërë për PDK-në që e kanë bërë atë fituese dhe tha se është i sigurt se PDK-ja me Zenun Pajazitin në krye, më 2017 do ta fitojë Gjilanin edhe atë në mënyrë spektakulare, por vetëm kërkoi nga pajziti durim deri në vjeshtën e 2017-tës, derisa për zgjedhjet e përgjithshme tha se ato priten të mbahen në 2018, dhe këtu opozita duhet të jetë e duruar, sepse nuk ka zgjedhje më përpara. /2L ONLINE/