Në kompleksin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Shqipëria, Edi Rama, nënshkruan Deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy vendeve.
Deklarata përbëhet nga katër shtylla kryesore: bashkëpunimi në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, bashkëpunim në çështjet e brendshme, në fushën ekonomike si dhe bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës. Të dy kryeministrat thanë se qeveritë e dyja vendeve do të angazhohen për mbështetjen e projekteve të përbashkëta në të gjitha fushat.
Po ashtu marrëveshje u nënshkrua në fushën e transportit dhe infrastrukturës si dhe për bashkëpunim tregtar nga dy ministritë respektive të të dyja vendeve.
“Më lejoni të ju falënderoj për gatishmërinë tuaj zotëri, Rama. Sot jemi këtu në qytetin e bukur, në qytetin e kreniasë sonë kombëtare, në qytetin e historisë, në qytetin e së ardhmes, në qytetin e Prizrenit. Ne sapo përmbyllëm takimin e parë të dy qeverie tona, takim i suksesshëm”, theksoi Thaçi.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kjo mbledhje ishte një mbledhje pune, dhe një mbledhje që vuri një gurë themeltare, për të çelur një rrugë të re për zhvillimin e ekonomik, social dhe kulturor të dy shteteve tona, dhe në mbarë hapësirën shqiptare që përkufizon këto dy shtete./rtk/