Pasi gjithçka shkoi mirë me zgjedhjet lokale në Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton ka vendosur që të ftoj pasnesër në takim dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçin e Ivica Daçiqin në Bruksel për një raund të ri bisedimesh.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka shprehur kënaqësinë e saj për mbarëvajtjen e patrazuar të zgjedhjeve, të cilat sipas saj janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Do të takoj kruyeministrat Daçiq dhe Thaçi në Bruksel të enjten, më 5 dhjetor, për një raund të ri të dialogut të cilin e lehtësoj. Këtu do të diskutojmë se si të çojmë përpara zbatimin e çështjeve të tjera të marrëveshjes së prillit”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton në një komunikatë që lëshoi zyra e saj sot, transmeton RTK.
”Kjo është shumë e rëndësishme, posaçërisht marr parasysh se do të paraqes raportin tim të radhës për dialogun para Këshillit në dhjetor”, ka shtuar ajo.
Sipas këtij njoftimi, kryediplomatja evropiane ka falënderuar edhe misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për lehtësimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës.