(2L ONLINE) – PPDK-ja nuk guxon ta kërcënoj Presidenten që do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese në rast se nuk i mandaton. Askund në Kushtetutë nuk thuhet se presidentja duhet ta thërrasë partinë ose koalicionin që ka fituar zgjedhjet për ta bërë Qeverinë. Ajo duhet ta kërkojë vetëm shumicën e nevojshme në Kuvend, e cila garanton se shteti mund të bëhet me Qeveri.
Kushtetuta e përcakton qartë. Çdo parti dhe kandidat për kryeministër që i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, i jipet mandati nga presidentja për ta bërë një gjë të tillë.
Në Kushtetutë nuk thuhet se mandatari doemosdo duhet të jetë nga partia që ka dalë e para në zgjedhje, por thuhet se ajo parti apo koalicion që i ka votat e mjaftueshme mandatohet për ta formuar Qeverinë. E në këtë rast PDK-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u mandatuar, por koalicioni i arritur mes LDK-së, AAK-së dhe NISMËS.
LDK-AAK e NISMA, mund ta formojnë Qeverinë, asgjë nuk është antikushtetuese. Kemi shumë raste edhe në Evropë si në Itali, Luksemburg, Austri etj, ku në pamundësi të krijimit të Qeverisë nga partia që ka dalë e para në zgjedhje, shteti nuk ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, por partitë opozitare janë bërë bashkë dhe kanë formuar Qeverinë.
PDK nuk guxon të kërcënoj as me zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse Kosova nuk e ka një luks të tillë, por ajo duhet të lëshoj pe dhe mos të këmbëngul, në mënyrë që koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe me ndihmën e deputetë të VV-së, pasi i kanë numrat e mjaftueshme ta formojë qeverinë dhe shteti të ecë përpara, sepse ky mandat do të jetë shumë vendimtar për integrimet euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik etj. Shteti i Kosovës nuk mund të ngelet peng i tekeve të PDK-së.
E para, Thaçi dhe zyrtarët e PDK-së i frikësohen mbetjes në opozitë, sepse partia edhe ashtu e përçarë do të kërkoj llogaridhënie nga kreu i partisë për këtë gjë, dhe si përfundim PDK-ja do të ketë tronditje të madhe pasi do të ketë largime të madhe nga partia dhe pjesa e mbetur do të ndahet në dysh. E dyta, një pjesë e madhe e njerëzve të PDK-së i frikësohen arrestimeve për hajni, korrupsion dhe krimit të organizuar që kanë bërë gjatë dy mandateve të qeverisjes.
E treta, PDK-së do t’i bënte mirë mbetja në opozitë, sepse në këtë mënyrë do të reflektonte duke u pastruar nga njerëzit që kanë bërë vepra të ndryshme kriminale dhe nga të zhyturit në korrupsion. Thaçi nuk guxon të ngul këmbë, por duhet të dorëzohet. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Duhet ta respektojë vullnetin e shumicës, e vullneti i shumicës është shtatëdhjetë përqindëshi që kanë votuar për opozitën!
/Faik KRASNIQI/