Hashim Thaçi premton se do të jetë një president ndryshe në Kosovë. I sapozgjedhur nga Kuvendi, Thaçi është në pritje të marrjes zyrtarisht të detyrës. Në një intervistë për “Top Channel” ai thotë se ka besim se liderët politikë do ta zgjidhin tensionin politik.
Z. president, a keni ndonjë plan konkret për dalje nga kriza politike dhe besoni se opozita do ti përgjigjet thirrjes për takim me ju?
Thaçi: Unë kam besim se tek liderët politikë të Kosovës do të dominojë vullneti politik. Do të dominojë energjia pozitive që të gjejmë zgjidhjen e pranueshme të përbashkët për ecje përpara.
Çfarë prisni nga Gjykata Speciale tani që kanë përfunduar të gjitha procedurat për formimin e saj?
Thaçi: Ne si Kosovë i kemi përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme, të gjitha obligimet që i kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare. Unë mendoj se Gjykata Speciale duhet të shfrytëzohet si një avantazh për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Kështu që ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe do t’i japim mbështetje të plotë.
Si president jeni edhe komandant suprem i forcave të armatosura. Kur besoni se FSK-ja do të shndërrohet në ushtri?
Thaçi: Edhe si president i vendit edhe si komandant i forcave të armatosura të Republikës së Kosovës do të punojë menjëherë për themelimin e Forcave të Armatosura, për fillimin e partneritetit për paqe dhe natyrisht edhe gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare Kosova të integrohet në NATO.
A keni menduar ende se si do të jetë dita juaj e parë si president i Kosovës?
Thaçi: Mendoj se do të jetë një ditë e veçantë, një ditë e re për Kosovën e re, për Kosovën evropiane. Do të jetë një presidencë më ndryshe dhe një president më ndryshe.
Pas largimit tuaj nga kreu i PDK-së, partia më e madhe në vend ka mbetur pa kryetar për herë të parë pas 17 viteve. Ndërkohë, janë shtuar zërat që zëvendësi juaj i deritanishëm zoti Kadri Veseli mund tu pasojë ju. A mendoni se Veseli mund të udhëheqë PDK-në? Thaçi: Gjithçka do të jetë në përputhshmëri me statutin e Partisë Demokratike të Kosovës, gjithashtu edhe me vullnetin e njerëzve. Prandaj, kjo çështje i takon tashmë lidershipit të ri të Partisë Demokratike dhe jo presidentit të vendit.