/2L ONLINE/ – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dënon ashpër sulmin e sotëm terrorist në qytezën Suruç të prefekturës Shanllëurfa të Turqisë, në afërsi të kufirit me Sirinë, në të cilin humbën jetën 28 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.
Zëvendëskryeministri i parë Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet e tij më të sinqerta homologut të tij, popullit turk dhe familjeve të viktimave. “Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbeten përkrah popullit turk në këto çaste të rënda për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Turqisë”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë fuqishëm përkrah koalicionit global të udhëhequr nga SHBA-të në luftën kundër terrorizmit.